Gagica: Kuvendit i duhet zëri i qytetarit, i duhet Fatmiri!
Zgjedhjet lokale janë paraparë të mbahen me 12 tetor, e në Gjilan tashmë disa subjekte politike i kanë nominuar kandidatët e tyre në garën për kryetar komune, ndërkohë që po punojnë në bërjen e listës sa më konkurruese edhe për asamble komunale.
Në këtë vazhdë, Nazim Gagica, kreu i Degës së AAK-së në Gjilan, njëherësh i nominuari i këtij subjekti, kandidat për kryetar komune, ka prezantuar Fatmir Shurdhanin si njëri prej atyre që do ta pasurojë listën e AAK-së.
“Gjilanit i duhet jo vetëm një qeverisje ndryshe, por edhe një Kuvend funksional. Kuvendit i duhet zëri i qytetarit. I duhet Fatmirit”, ka thënë Nazim Gagica.
Për Shurdhanin, i pari i AAK-së ka thënë se ai është zëri i një kategorie që shpesh është harruar, por ai nuk ka heshtur kurrë.
“Për shumë vite, Fatmir Shurdhani, Drejtor Ekzekutiv i Hendikos-it në Gjilan, ka qenë zëri dhe shtylla e personave me aftësi të kufizuara. Ai ka luftuar për të drejta. Ka qenë i paepur, edhe kur është dashur të jetë kritik ndaj politikës. Por gjithmonë në mbrojtje të një qëllimi: dinjiteti dhe përfaqësimi i barabartë për çdo qytetar”, ka thënë Gagica.
Sipas tij, sot, nuk ka më kohë për Kuvende formale e pasive.
“Gjilanit i duhet jo vetëm një qeverisje ndryshe, por edhe një Kuvend funksional. Kuvendit i duhet zëri i qytetarit. I duhet Fatmiri. Na priftë e mbara”, ka thënë Nazim Gagica i AAK-së.
Ndërsa, Fatmir Shurdhani ka thënë për Portlain 2LONLINE.com, se dëshiron që edhe në këtë mënyrë të jetë zëri i personave me aftësi të kufizuara dhe për të qenë aktivisht në politikë zgjodhi Aleancën, pasi kanë për qëllim që të angazhohen për të krijuar mundësi të barabarta në shoqëri, për të gjithë, përmes vendimeve që do të nxjerrën nga Kuvendi komunal.
“Angazhimi ynë do të jetë në atë drejtim që ky organ legjislativ të vihet në shërbim të plotë të qytetarëve pa dallim, përfshirë pra këtu edhe personat me aftësi të kufizuara”, ka thënë Fatmir Shurdhani. /2LONLINE/
