Gagica: Kemi dhënë 20 mijë shërbime më shumë se në vitin 2013 për qytetarë
/2L ONLINE/ – Ndryshime të shumta kanë ndodhur për një vit qeverisjeje në administratën e Gjilanit, në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarë, efikasitet më të shtuar, digjitalizim dhe krijim të kushteve moderne për produktet që ka në shërbim ky institucion për qytetarët e Gjilanit, kështu ka thënë në një konferencë të mbajtur sot nga drejtori i Administratës së Përgjithshme, Nazim Gagica.
Me këtë rast gjatë prezantimit të punës së këtij dikasteri shumë të rëndësishëm, drejtori Gagica ka thënë se një vit qeverisjeje me administratën e Gjilanit, ka qenë me të arritura shumë të mëdha, digjitalizim të sistemit të shërbimeve, krijim të kushteve për më shumë shërbime në një vend dhe risi të tjera që e kanë bërë Gjilanin model edhe për komunat e tjera.
“Me të marrë këtë përgjegjësi të rëndësishme dhe me mbështetje të kryetarit Haziri, kemi sjellë për qytetarët e Gjilanit risi të shumta dhe kështu do të vazhdojmë edhe më tutje. Nisëm me projektin “Apliko Online”, që ka rezultuar i suksesshëm, kur kemi parasysh numrin e qytetarëve të cilët kanë kërkuar shërbimet në këtë formë dhe efikasitetit që të pajisim qytetarët me dokumentet e kërkuara. Kjo do të vazhdoj edhe më tutje sepse interesi i qytetarëve është për shërbime të shpejta dhe efikase dhe kjo e ka arritur qëllimin e vet. Nga ky projekt Gjilani është marrë model i mirë dhe i domosdoshëm nga Komuna më e madhe apo kryeqyteti ynë Prishtinë, e që më pas këtë model e kanë ndjekur edhe Komunat e tjera”, tha drejtori Gagica.
Ai poashtu ka prezantuar edhe projektin tjetër të realizuar dhe shumë të rëndësishëm siç është ai i “Home Komuna”, që ka bërë të mundur që në një vend të jepen disa lloje të shërbimeve të ndryshme pa pas nevojën që qytetari të ec nga një objekt në tjetrin.
“Projekti tjetër poashtu me shumë rëndësi është edhe “Home Komuna”, që ka krijuar lehtësi të mëdha për qytetarët, ngase në një vend mund të kryhen shumë shërbime si pagesat e tatimit në pronë, regjistrimi i bizneseve, pagesat e faturave të ujit, të mbeturinave dhe shërbime të tjera të tipit të sporteleve. Gjatë të ardhmes do të jepen edhe fletët poseduese dhe shërbime të tjera të rëndësishme, që mundëson kursim të kohës dhe kostos për qytetarët”, tha drejtori Gagica.
Ndërsa në aspektin e dhënies së shërbimeve, drejtori i administratës Gagica tha se edhe në këtë fushë ka një rritje të madhe të efikasitetit, ku nëse bëhet nja krahasim me vitin paraprak, shihen përmirësime të mëdha.
“Sa i përket shërbimeve që ka dhënë kjo drejtori për qytetarët, del se vitit 2014 ka qenë vit me një dinamikë shumë të madhe të punës ku është arritur të jepen mbi 20 mijë shërbime më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit 2013. Kjo na shtyn që ne të punojmë edhe më shumë dhe më me efikasitet, që tollovitë të cilat i kemi parë vite më parë të mos ekzistojnë më para dyerve të administratës. Kjo në vitin e parë është eliminuar me një riorganizim të brendshëm të stafit në këtë drejtori dhe kështu me efikasitet dhe me risi në shërbim të qytetarëve do të vazhdoj edhe më tutje”, ka potencuar ai ndër të tjerash duke thënë se për këtë drejtori nuk ka periudhë të sezonit, por periudhë të përkushtimit në punë.
Gagica tha se në të gjitha raportet, administrata e Gjilanit del e para në nivel vendi, me efikasitet, përmbushje të kritereve të BE-së, saktësisë së dhënies së dokumentacioneve, asnjë shkelje të ligjeve gjatë dhënies së dokumentacionit etj.
“Kur raportet zyrtare merren parasysh, del se administrata e Gjilanit në aspektin e rritjes së performancës është pothuajse në maksimumin e mundur me 98.36 % dhe nëse e krahasojmë me vitin 2013, ku në raportin e MAPL-së administrata e Gjilanit paraqitej në pikën zero të raportit të performancës, dhe Gjilani krahasohej me Zubin Potokun, Zveqanin dhe disa komuna të vogla”, tha ai.
Kurse në aspektin e shpenzimeve poashtu dalin rezultate të prekshme dhe shpresëdhënëse për qytetaret e Gjilanit tha Gagica.
“Në aspektin e shpenzimeve, poashtu kemi pasur shumë kujdes. Në shërbimin e autoparkut, sektor të cilin e udhëheqë kjo drejtori kemi rezultate të prekshme. 10 mijë litra derivate kemi më pak shpenzime nëse bëhet krahasimi me vitin 2013, që dëshmon se paraja publike është e veçantë për këtë qeverisje, kurse efikasiteti është rritur jashtëzakonisht shumë”, pohoi Gagica.
Ndryshe, kjo drejtori, ka bërë edhe investime në infrastrukturën e zyrave të gjendjes civile nëpër fshatra ku objektet e tyre kishin probleme të ndryshme si në Llashticë, Malishevë, Bresalc etj./2L ONLINE/
