Futbollistin Mehdi Çoba nuk do të jetë më pjesë e SC Gjilanit
Sport Club Gjilani njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me futbollistin Mehdi Çoba, me marrëveshje të përbashkët mes palëve.
“Vendimi për ndarjen vjen në mirëkuptim të plotë, duke i hapur rrugë futbollistit që të kërkojë një ambient ku do të ketë më shumë hapësirë për aktivizim të vazhdueshëm në vazhdim të karrierës së tij”, thuhet në njoftimin zyrtar të SC Gjilanit.
Përndryshe, 25-vjeçari iu bashkua “kuqebardhëve” në afatin kalimtar të verës, derisa u paraqit në tetë ndeshje zyrtare, duke përfshirë edhe duelin e kupës.
Sipas drejtuesve të klubit, gjatë kësaj kohe, futbollisti shkodran tregoi profesionalizëm dhe përkushtim të lartë për fanellën.
“SC Gjilani e falënderon Mehdi Çobën për angazhimin, profesionalizmin dhe korrektësinë e treguar gjatë kohës që ishte pjesë e klubit, duke i uruar shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale”, thuhet në fund të njoftimit të skuadrës “kuqebardhë”. /2LONLINE/
