Futbollisti gjilanas Real Jahiu shënoi golin e fitores për Kosovën U15, që nis me fitore turneun zhvillimor të UEFA-s në Bullgari
Kombëtarja e Kosovës U15 e ka nisur me fitore turneun zhvillimor të UEFA-s, që po zhvillohet në Bullgari, duke triumfuar ndaj Moldavisë me rezultat 2:1, në ndeshjen e parë të këtij turneu.
Siç njofton FFK-ja, Kosova kaloi në epërsi në minutën e 14-të, kur Lionel Nikqi realizoi për 1:0. David Ciorici i skuadrës kundërshtare barazoi shifrat 1:1, derisa golin e fitores për Dardanët e realizoi në minutën e parë të kohës shtesë, Real Jahiu, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2:1.
“Ndeshjen e radhës Kosova U15 do ta zhvillojë më 17 tetor, kundër Armenisë, me fillim në orën 16:00, ndërsa turneun do ta përmbyllë më 20 tetor, me përballjen ndaj nikoqires, Bullgarisë, që nis në orën 11:00”, njofton FFK. /2LONLINE/
