Futbolli kosovar pa doping kontroll, nevojë e domosdoshme

Futbolli kosovar pa doping kontroll, nevojë e domosdoshme

Në një kohë kur në kampionatin kosovar të gjitha klubet po luftojnë në të tria anët – për titull të kampionit, për t’i shpëtuar rënies dhe për t’i ikur barazhit, por askush nuk mund të garantojë që futbollistët nuk përdorin doping.

Kjo do të mund të vërtetohej vetëm përmes doping kontrollit, e i cili në Kosovë nuk bëhet fare, ndonëse në të gjitha shtetet tjera, madje edhe te shtetet fqinjë, doping kontrolli praktikohet.

E kjo po vlerësohet si mangësi e madhe për futbollin kosovar nga trajneri Bylbyl Sokoli.

“Ne ende në Superligë nuk kemi doping kontrollë. Kjo ndodh vetëm në Kosovë, pasi në rajon të gjithë e kanë doping kontrollin. Unë kam punuar në Maqedoni dhe atje ka pasur. Futbollistët mund të dopingohen, s’i kontrollon askush. Federata e Futbollit e ka obligim ta formojë një ekip për antidoping. Shpresoj që Kosova ta ketë në të ardhmen e afërt një institut për doping kontroll. Doping kontrolli është i domosdoshëm dhe urgjent. Kontroll të tillë duhet të ketë edhe në kampionatin kombëtar, e jo vetëm për ndeshjet ndërkombëtare”, ka thënë Sokoli.

Ndërkohë, gazetari Arlind Sadiku shprehet se ka dëgjuar që në Kosovë futbollistët kanë përdorur dhe përdorin substanca të ndaluara stimuluese.

“Besoj se për klubet e Superligës do të ishte i domosdoshëm doping kontrolli sepse ne e jetojmë këtë realitet dhe e dimë, jemi në shoqëri të futbollistëve. Ata marrin substanca që nuk kontrollohen. Kemi pasur edhe raportime që lojtarët kanë marrë substancë ‘Efedrin’. Në futboll kjo substancë është e ndaluar”, përfundoi Sadiku.

KOMENTE