Fundjavë me diell dhe temperatura deri në 27 gradë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se fundjava do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell, temperatura të këndshme dhe kushte të favorshme për aktivitetet në natyrë, por edhe për punimet bujqësore.
Sipas parashikimit të IHMK-së, të shtunën vendi do të përfshihet nga mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta lokale. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 14 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 22 deri në 25 gradë. Gjatë ditës do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.
Edhe dita e diel pritet të jetë me diell dhe intervale me vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 10 dhe 12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të shënojnë rritje, duke arritur nga 24 deri në 27 gradë. Era do të vazhdojë të fryjë e lehtë deri mesatare nga kuadrati verior.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës vlerëson se kushtet agrometeorologjike gjatë fundjavës do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe për kryerjen e punimeve sezonale në ara, pemishte dhe vreshta. Temperaturat e këndshme dhe moti kryesisht i thatë do të krijojnë kushte të mira për zhvillimin normal të bimëve.
Sipas IHMK-së, korrja dhe shirja e grurit tashmë kanë nisur në shumicën e rajoneve të Kosovës, ndërsa moti i parashikuar, pa reshje dhe me temperatura të përshtatshme, pritet të mundësojë zhvillimin pa pengesa të këtij procesi.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u rekomandon fermerëve që korrjen ta organizojnë gjatë orëve kur lagështia e ajrit është më e ulët, ndërsa pas korrjes të sigurojnë tharjen dhe ruajtjen e duhur të kokrrës, me qëllim të ruajtjes së cilësisë së prodhimit dhe shmangies së humbjeve gjatë magazinimit. /2LONLINE/
