Plani “Bansko”, tashmë i harruar nga ana e z. Thaçi, është zëvendësuar nga plani me emrin “Selfie”, që qytetarët e Kosovës, nëse asgjë tjetër, i bënë të angazhohen të bëjnë “like” për kryeministrin në largim. Një dështim tjetër është moskordinimi dhe dështimi i krijimit të një politike të qartë karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe njohjeve të reja. Zv/kryeministri i parë, apo siç po e quan populli, “tuxhari” Bexhet Pacolli, në turet e tij “diplomatike” në shtetet e Afrikës solli më shumë rrena sesa njohje…
Shkruan: Ilir Murtezi-Tërpeza
(2LONLINE) – Liberalizimi i vizave, integrimet në institucionet europiane, NATO dhe organizatat tjera ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), edhe me tej mbeten vetëm një ëndërr e bukur e qytetarëve të Kosovës. Kosova, në 6 vitet e saj si shtet, nuk ka arritur ende asnjë bashkëpunim të mirëfilltë me Shqipërinë, e lëre më me tjera shtete në rajon.
Politikat sot për sot të qeverive Thaçi 1 dhe Thaçi 2, çdo ditë e më shumë po e zhysin në varfëri të thellë qytetarin edhe ashtu të lodhur të Kosovës. Premtimet e mëdha të kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, në fushatën e zgjedhjeve të kaluara nacionale, ishin të fokusuara pikërisht në integrimin e Kosovës në BE, NATO dhe, padyshim, kurse ndër premtimet që qytetarin e Kosovës e bënë të shihte një fije shprese, ishte pikërisht liberalizimi i vizave.
Herë 18 muaj e herë dy vite ishte premtimi i Thaçit për liberalizim, por, megjithëse kanë kaluar më shumë se 40 muaj, afro katër vjet, asgjë nuk ka lëvizur më shume nga gjendja që ishte në 2009. E vetmja lëvizje ishin pamjet e dhëna nga mediat ndërkombëtare për mijëra qytetarë të Kosovës, që kalonin në forma nga më të ndryshmet kufinjtë e shteteve të ndryshme për të kërkuar azil në shtetet e BE-së, pamjet nga kampet e ndryshme në Hungari e vende të tjera, si dhe ajo pamja e famshme nga një nënurë në qytetin e Lionit, në Francë.
Zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës ishte një premtim tjetër i parealizuar i kryeministrit në largim. Jemi të gjithë dëshmitarë se Kosova nuk ka shënuar asnjë rezultat nga këto premtime, përkundrazi në shumë fusha kemi degjenerim total, si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në hapjen e vende të reja të punës.
Gjatë katër viteve të qeverisjes Thaçi 2, të vetmet lajme që kanë karakterizuar Kosovën, kanë qenë patatet dhe bllokimi i tyre për eksportim në Shqipëri, pamundësia e eksportimit të prodhimeve kosovare, shuarja e bizneseve të ndryshme dhe skandalet e përditshme të korrupsionit në ndërmarrjet publike.
Kosova, peng i “selfie”-stit Thaçi dhe “tuxharit” Pacolli
Megjithatë, Qeveria Thaçi, mund të lavdohet me një të arritur tjetër, zhytjen e qytetarit të Kosovës dhe bizneseve të ndryshme në kredi (fajde) në bankat që operojnë në Kosovë dhe, gradualisht, bankrotimi i këtyre bizneseve si dhe zhytja e qytetarit në borgje të pakapërcyeshme ndaj bankave apo edhe ndaj individëve të caktuar (të fortë), të cilët e shfrytëzojnë gjendjen ekonomike dhe japin para me fajde.
Gjatë ditëve të fundit, kryministri në largim i është kthyer fushatës së tij, tashmë të njohur, milionëshe, lojës me qytetarin dhe hallet e tij. Vizitat e çdoditshme në rajone të ndryshme të Kosovës dhe “selfiet” në rrjetin social Facebook, e bëjnë atë një palaqo në sytë e opinionit. Vizitat elektorale që iu bënë bizneseve të ndryshme vetëm për “selfie”, pa dhënë asnjë plan konkret për zhvillimin e tyre, pa një plan për ekonominë dhe investimet kapitale, na bëjnë të mendojmë nëse Kryeministri e di se çka po flet apo, vërtet iu ka “hypur skijave”. Plani “Bansko” tashmë është harruar nga ana e z. Thaçi. Vendin e tij e ka zënë plani tjetër, me emrin “Selfie”, që qytetarët e Kosovës, nëse asgjë tjetër, i bënë të angazhohen të bëjnë “like” për kryeministrin në largim.
Një dështim tjetër këtë radhë në rrafshin ndërkombetar, diplomatik, është moskordinimi dhe dështimi i krijimit të një politike të qartë karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe njohjeve të reja. Zv/kryeministri i parë, apo siç po e quan populli, “tuxhari” Bexhet Pacolli, në turet e tij “diplomatike” në shtetet e Afrikës dhe rrenat e tija për njohje nga shtete të ndryshme, siç ishte rasti i Nigerisë, lajm ky që u pat dhënë me pompozitet si meritë e “tuxharit” Pacolli, dhe përgënjeshtrimi i bërë para pak ditësh nga ministri i Jashtëm i Nigerisë për këtë njohje (të paqarta mbesin edhe njohja nga Mali dhe Uganda), na tregojnë qartë dështimin në diplomaci.
Kur kësaj ia shtojmë edhe skandalet në ambasadat tona, ku punësimet e stafit diplomatik të vetmin kriter kanë familjarizmin e jo profesionalizmin, skandalet e njëpasnjëshme në përfaqësitë tona, na bëjnë të turpërohemi për diplomacinë tonë.
“Piunizmi” i Mustafës dhe demagogjia e Kurtit
Megjithatë, mendoj se faji nuk është vetëm i kryeministrit në largim. Këtu një “meritë” të madhe kanë edhe satelitët e partisë në pushtet e që, fatkeqësisht, po luajnë me qytetarin e Kosovës për llogari të udhëheqësve dhe rrethit të miqve të tyre në LDK dhe VV (subjekti tashmë i dështuar AKR, edhe ashtu e ka mision “tuxharllëkun”).
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së në “opozitë” është i padukshëm, i pafuqishëm për të bërë opozitë. Qeverisja e dështuar, me duar në xhepat e qytetarëve të Prishtinës, dyshimet në dhënien e lejeve për ndërtim në Prishtinë, jashtë procedurave ligjore, dhe kaosi urbanistik, pafuqia e tij përballë të fortëve të LDK-së dhe qasja e tij megalomane (mendësi komuniste), e bëjnë atë vetëm një figurë të parëndësishme (piun) në lojën e Hashimit me kompani. Flitet se ka mbi 40 raste që janë nën hetime nga ana e Prokurorisë së Shtetit, për raste të ndryshme, përfshirë këtu afera korruptive, dhënie lejesh për ndërtim, pa përfillë asnjë kriter, e raste të tjera, e lënë Mustafën jashtë mundësisë së të qenit opozitar real ndaj Qeverisë Thaçi, e kur këtu i fusim edhe interesat ekonomike e mafioze të strukturave të LDK-së, e bëjnë këtë parti vetëm si vegël për t’i shtuar jetë qverisë së tij nga ana e kryeministrit.
Këtë më së miri e faktojnë deklaratat e çdoditshme të zyrtarëve të LDK-së, përfshirë këtu edhe z. Mustafa, se kjo qeveri duhet të ikë sa më parë, por kur atyre iu jepet mundësia për shkarkimin e kësaj qeverie përmes mocionit të inicuar nga AAK, atëherë këta heshtin.
Çdo fjalë e shkruar për Albin Kurtin, lider i Vetëvedosjes, do ishte shumë. Qasja e tij përjashtuese ndaj të gjithëve dhe lojërat në emër të një patriotizmi patriarkal, në fakt, kanë si qëllim vetëm demagogjinë, mashtrimin dhe lojën më ndjenjën e qytetarit për vendin. Idetë e tij revolucionare tashmë iu përkasin shekujve të kaluar dhe nuk mund të gjejnë zbatim në Europën moderne të shekullit XXI.
Opcioni Haradinaj?!
Po Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Ramush Haradinaj!?
Haradinaj, si lider në skenën politike të Kosovës, ka më së paku “stazh”, në politikëbërje dhe qeverisje. 100 ditë qeverisje dhe 5 vjet politikëbërje e vendimmarrje në AAK (nga rreth 14 vjet sa ka gjisthsej kjo parti), e bëjnë Haradinajn, mbase, liderin dhe politikanin më të pakonsomuar në vend. Sfidat me të cilat ai u përball. 8 vejt me radhë i hendikepuar, nga procesi i gjatë e i padrejtë në Tribunalin e Hagës, kanë bërë mbase që një mal propagandash të ngriten nga rivalët e tij politikë në Kosovë, dhe një një mitologji shpifshjesh, të ngriten e ndërtohen në emër të tij. Por, gradualisht, kemi parë që këto kanë filluar të bien. Ndoshta, edhe vetë Haradinajt i takon një pjesë e punës për t’i rrënuar këto kala të rrenave në emër të tij. Kjo ka rëndësi shumë, edhe pse terreni i propagandës dhe i medias, sot për sot, shihet që ende është në disfavor të tij. Një arsenal i tërë mediatik, duket të jetë i rekrutuar kundër Ramush Haradinajt, nga rivalët tij politikë, me goditje nga më të ndryshmet.
Jemi dëshmitarë se akuzat e dikurshme, nga ana e njerëzve të ndryshëm, me qëllime të ulta dhe të ardhura nga qarqe të dyshimta, tani kanë filluar të rrënohen. Qytetari i Kosovës po e mëson të vërtetën ashtu si është, në disa prej këtyre rasteve. “Pandora” na dha të kuptojmë shumë se deri ku kanë arritur këto qarqe keqdashëse për vendin.
Qasja praktike ndaj problemeve të qytetarit të Kosovës, këmbëngulja dhe sinqeriteti, kur flet në tema të ndryshme, pavaresisht pesimizmit të madh që na kanë shkaktuar qeveritë Thaçi 1 dhe Thaçi 2, na bëjnë që të ndjejmë se, megjithatë, Haradinaj, i cili nuk njihet si njeri i premtimeve pa mbulesë, në situatën në të cilën ndodhemi, mund të jetë opcioni që do të punojë për realizimin e planeve për zhvillim ekonomik dhe ulje të papunësisë. Ai ka premtuar, ndoshta jo milionat e miliardat, si kryeministri aktual, por nivelin e pagës mesatare në vend në rreth 1 mijë euro, gjë që edhe duhet të jetë objektiv real i Kosovës, nëse duam të jemi pjesë e BE-së.
Në shume debate në media të ndryshme, Haradinajn dhe zyrtarë tjerë të partisë së tij, nuk i kemi dëgjuar të flasin fjalë të mëdha për çështje të ndryshme. Plani i detajuar per thëngjillin e Kosovës, rivitalizimi i Trepçës, plani konkret i zhvillimit, i prezantuar nga ekspertë të dëshmuar të ekonomisë, plani për përkrahje të bizneseve të vogla, mund të jenë zgjidhje opcionale për uljen e papunësise dhe zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të Kosovës.
Pavarësisht lojërave dhe zhvillimeve të ndryshme, që po bëhen nga qeveria në largim, për të përfituar sa më shumë vota në zgjdhje, qytetari i Kosovës është tashmë i vetëdijshëm se një qeveri me duar të pastra, me një plan të detajuar për zhvillim ekonomik, për uljen e papunësisë është e vetmja rrugë jo vetëm për një jetë më të mirë për qytetarin e Kosovës, por edhe për integrimin e vendit në institucionet ndërkombëtare. Fundja, janë detyrat e shtëpisë, punët që ne duhet t’i bëjmë vetë për të arritur qëllimet tona.
Megjithatë, Haradinaj e ka një problem. Një kuotë tjetër votash. Mbase, dukshëm më të lartë se kjo që e ka aktualisht partia e tij. Haradinaj nuk është sprovuar ende në zgjedhje nacionale, si ofertë direkte për vendin, në postin e kryeministrit. Që nga zgjedhjet e nëntorit të vitit 2004. Domethënë, një dekadë më parë. Ai veç sot është duarlirë në këtë. Por, para vetes ka një mal punësh – rrënimin e mëtejmë të kështjellave më shpifje ndaj tij, spastrimin dhe reformimin në parti dhe një kuotë më të lartë votash. /2lonline/