FSK zhvillon Kursin për Analizën Alternative me ekipin trajnues kanadez
Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar Kursin për Analizën Alternative,( Alternative Analysis Course- AAC) i cili për herë të parë është organizuar nga një ekip trajnues kanadez për pjesëtarët e FSK-së.
Qëllimi i këtij kursi ishte zhvillimi dhe avancimi i njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëmarrësve në fushën e analizës alternative, me theks të veçantë në planifikimin, zbatimin dhe lehtësimin e proceseve të strukturuara analitike.
Përmes këtij trajnimi, pjesëmarrësit patën mundësi të avancojnë shkathtësitë për analizimin e situatave, identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve, si dhe ofrimin e alternativave të bazuara në analiza profesionale, në mbështetje të vendimmarrjes efektive në nivel institucional, operacional dhe strategjik.
Realizimi i këtij kursi për herë të parë nga ekipi trajnues kanadez paraqet një tjetër mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të pjesëtarëve të saj. /2LONLINE/
