FSK vazhdon me zgjerimin e infrastrukturës
Një hap tjetër i rëndësishëm është realizuar për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, me pranimin zyrtar të një lokacioni të ri nga pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.
Pranim-dorëzim është realizuar zyrtarisht në bashkëpunim dhe koordinim mes dy komisioneve respektive: Ministrisë së Mbrojtjes/FSK-së dhe Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.
Lokacioni, me sipërfaqe prej 100 hektarësh, ndodhet në rajonin e Batllavës (ish-Poligoni i Batllavës), në komunën e Podujevës, tek vendi i quajtur Lumi i Surdullit.
Ky zhvillim vjen në vijim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përpjekjeve të pandërprera për të përmirësuar dhe zgjeruar kapacitetet operacionale dhe infrastrukturën e FSK-së.
Në mbledhjen e 247-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të mbajtur më 31 janar 2025, u miratua vendimi për dhënien në shfrytëzim të këtyre pronave për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Këto prona janë të evidentuara si pronë shoqërore – Ndërmarrja e Pyjeve.
Vendimi në fjalë pason një proces të gjatë të transformimit dhe forcimit të kapaciteteve të FSK-së, duke përfshirë edhe marrjen në shfrytëzim të ish-poligonit të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës për Zonën e 5-të Mbrojtëse të ZOLL-it pas shumë viteve pritje.
Transferimi i këtyre pronave nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës te FSK-ja synon të përmirësojë infrastrukturën dhe kapacitetet operacionale të forcave të sigurisë së vendit.
Ky është një hap tjetër drejt konsolidimit të kapaciteteve tona ushtarake dhe sigurimit të një të ardhmeje më të sigurt për vendin tonë, njofton FSK. /2LONLINE/
