FSK shënon 27 Nëntorin – “Ditën e Forcës” me aktivitete në të gjitha kazermat
Forca e Sigurisë së Kosovës ka shënuar sot, 27 Nëntorin – “Ditën e Forcës”, duke hapur dyert në të gjitha kazermat e saj, për të shënuar këtë ditë të rëndësishme për institucionin dhe pjesëtarët e saj.
Në ceremoninë qendrore të mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë të pranishëm ishin edhe udhëheqës të lartë shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe mysafirë të ftuar, të cilët u pritën nga udhëheqësit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjithashtu për të parë nga afër kapacitetet ushtarake, pajisjet dhe aftësitë profesionale të pjesëtarëve të FSK-së, një numër i madh i nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve vizituan kazermat e FSK-së në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Istog, Mitrovicë, Pomozotin dhe Prizren.
Në këtë ditë festë për FSK-në , u prezantuan zhvillimet dhe të arriturat e FSK-së, si dhe përkushtimi i pjesëtarëve të saj në ngritjen e vazhdueshme profesionale dhe përmbushjen e misionit dhe detyrave.
Shënimi i “Ditës së Forcës” përbën një rast të veçantë për të vlerësuar rrugëtimin dhe zhvillimin e FSK-së, si dhe për të nderuar përkushtimin dhe shërbimin e pjesëtarëve të saj në shërbim të Republikës së Kosovës. /2LONLINE/
