FSK sfidon pjesëtarët me garën “Shqiponja Patrulluese 17”

FSK sfidon pjesëtarët me garën “Shqiponja Patrulluese 17”

Me direktivë dhe urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama me qellim të sfidimit dhe kalitjes fizike për realizmin e misionit që ka FSK-ja, është duke u zhvilluar ushtrimi fushor garues një javor “Shqiponja patrulluese 17”.

Në terrenet e ushtrimit dhe të zhvillimit të aktivitetit garues, sot ishin për vizitë zëvendëskomandanti i Komandës së Forcës Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, ushtruesi i detyrës së komandantit të Brigadës për Reagim të shpejtë, kolonel Xhevahir Geci, ushtruesi i detyrës së komandantit të Brigadës për Mbështetje Operacionale, kolonel Avdi Rraci, shefi i shtabit të BRSH-së, nënkolonel Ejup Maqedonci, këshilltari ushtarak britanik i komandantit të FSK –së, nënkolonel Gregor Lindsay, pastaj nënkolonel Bashkim Shillova, nënkolonel Ali Krasniqi, si dhe ushtarak ndërkombëtarë të ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s për MFSK dhe FSK (NALT) si dhe oficerë të tjerë të FSK-së.

Gjeneral Hazrolli duke parë nga afër kalitjen e pjesëtarëve dhe gatishmërinë e tyre për tu përball me sfidat e terrenit, e përgëzoi stafin planifikues të oficerëve si dhe pjesëtarët e skuadrave garuese të cilët me sukses dhe përkushtim demonstruan aktivitetet e parapara me skenar. Gjeneral Hazrolli tha më tej se planifikimi i mirë, puna ekipore dhe motivimi i lartë kanë bërë që ky ushtrim garues të jetë kaq madhështor.

Me këtë rast, gjeneral Hazrolli falënderoi edhe ushtarakët britanik dhe kanadez për mbështetjen dhënë në realizimin e ushtrimit.

Për të krijuar tablo më të plotë të ushtrimit garues ,,Shqiponja patrulluese 17″ një informim të shkurtër e dha kapiten Vegim Kelani, i cili tha se ushtrimi ka filluar me datë 29 shtator dhe do të përfundoj me datë 6 tetor 2017.

Stërvitjet përgatitore janë zhvilluar për gjashtë muaj dhe janë zhvilluar në çdo njësi madhore të FSK-së, ndërsa për garën finale janë kualifikuar tetë (8) skuadra me nga 72 pjesëtarë, të cilët do të vazhdojnë aktivitetet ditën dhe natën deri sa të përfundojnë skenarin e ushtrimit, ku edhe do të shpallën fituesit e garës.

Nga ana e tij edhe, këshilltari britanik i komandantit të FSK-së, nënkolonel Gregor Lindsay i cili ka qenë në vazhdimësi i angazhuar në mbarëvajtjen e ushtrimit tha se është i lumtur, që gara e organizuar për herë të parë në FSK po zhvillohet me kaq sukses dhe përkushtim.

Kjo garë këtë vit organizohet për herë të parë nga oficerët dhe nënoficerët e FSK-së sipas modelit të ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe parashihet të jetë garë tradicionale vjetore, ku do të ftohen edhe ushtarak të ushtrive të shteteve tjera të rajonit.

  

KOMENTE