FSK-ja modernizon flotën e kamionëve
Në prani të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministrit të Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë z. Rainer Rudolph si dhe z. Daniel Zittel përfaqësues i prodhuesit të kamionëve, u realizua ceremonia e pranimit dhe dorëzimit të kontingjentit të parë të kamionëve të rinj për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Pranimi i 12 kamionëve ushtarak të tipit Unimog Mercedes Benz 5T4x4 dhe 8 kamionëve Rheinmetall KX8x8 e përbën një hap të rëndësishëm në procesin e modernizimit dhe avancimit të flotës së transportit të FSK-së, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e mobilitetit, përmirësimin e mbështetjes logjistike dhe rritjen e efikasitetit në realizimin e detyrave dhe operacioneve. Kurse pjesa tjetër e kontingjentit të kamionëve pritet të vijë në ditët në vijim.
Pajisja me mjete moderne dhe funksionale është pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për realizimin e misionit.
FSK-ja vazhdon të zhvillohet dhe modernizohet, duke forcuar kapacitetet e saj në shërbim të vendit, sigurisë së qytetarëve dhe përmbushjes së misionit kushtetues të saj. /2LONLINE/
