DYLON

FSK-ja me zyrtare ndërlidhëse në Kuvendin e Kosovës

FSK-ja me zyrtare ndërlidhëse në Kuvendin e Kosovës
Avatar photo Redaksia

Sot, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, kryetarja e Kuvendit,  Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit, me të cilin mundësohet që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja ta emërojnë një zyrtar ndërlidhës ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe MM-së, përkatësisht FSK-së.

Në takimin me ministrin Quni dhe gjeneral Ramën, znj. Osmani shprehu mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit të Kosovës për punën e palodhshme Ministrisë së Mbrojtjes, strukturës udhëheqëse të FSK-së, por edhe të ushtarëve e ushtareve të kësaj trupe për t’i shërbyer atdheut, si dhe kënaqësinë e saj për arritjen e një marrëveshjeje për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht FSK-së.

Kryetarja Osmani i falënderoi krerët e sigurisë për mbështetjen e idesë së saj që zyrtarja ndërlidhëse e FSK-së në Kuvendin e Kosovës të jetë grua, në funksion të fuqizimit të rolit në sferën e sigurisë. Me vendimin e komandantit të FSK-së, kapitenia Manushaqe Nura është emëruar në funksionin e zyrtares ndërlidhëse të FSK-së në Kuvendin e Kosovës.

EkoHigjiena

“Kjo dëshmon për nivelin e lartë të organizimit të Forcës, por dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të saj”, tha znj. Osmani.

Më tej, znj. Osmani dhe ministri Quni diskutuan për procesin e transformimit të deritanishëm të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës. Ajo e siguroi ministrin Quni dhe komandantin Rama se institucioni të cilin ajo e udhëheq do të punojë ngushtë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për operim të FSK-së, përfshirë hartimin e legjislacionit të nevojshëm.

Ajo theksoi po kështu gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit për ta përkrahur këtë forcë për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të nevojshme.

Ministri Quni dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, në anën tjetër, e falënderuan kryetaren Osmani për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, me të cilin mundësohet prania e zyrtares ndërlidhëse të Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht FSK-së në Kuvend, si dhe për gatishmërinë e saj që ta ndihmojë në vazhdimësi zhvillimin e kësaj force.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.