Kompania e Deminimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka filluar operacionin e deminimit humanitar për pastrimin e fushave të minuara dhe fushëbetejave, duke u bazuar në planifikimet për vitin 2024, njofton FSK.
Me këtë rast, komandanti i Gardës Kombëtare, gjeneralbrigade Naim Haziri së bashku me komandantin e Regjimentit të Mbrojtjes Civile, nënkolonel Gezim Sada dhe zëvendës komandanti i KDS-së, kolonel Ilir Shyti vizituan ekipet e EOD-së, në Parkun e Lirisë në Ferizaj për të parë nga afër mbarëvajtjen e operacionit dhe për t’i përgëzuar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë që po tregojnë në pastrimin e fushave të minuara.
Gjatë këtij viti, njësitë e deminimit do jenë të angazhuara në pastrimin e tri lokacioneve në territorin e Republikës së Kosovës: fshatin Muradem, majën e Cvilenit në zonën e Prizrenit dhe Parkun e Lirisë në Ferizaj, gjithashtu do të ofrojnë kujdestari 24/7 për largimin e mjeteve të pashpërthyera që mund të hasen nga qytetarët.
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës trajnohen dhe ngritën profesionalisht me qëllim që të jenë sa më të përgatitur dhe të gatshëm për t’u dal në ndihmë qytetarëve të vendit me gjitha kapacitetet e saj kurdo dhe kudo që kërkohet. /2LONLINE/