FSK avancon kapacitetet profesionale përmes Kursit për Instruktorë me ekipin SATMO të Ushtrisë Amerikane
Në kuadër të zhvillimit profesional dhe ngritjes së kapaciteteve trajnuese, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Shkollën e Nënoficerëve, është zhvilluar Kursi për Instruktor, i udhëhequr nga ekipi i SATMO (ushtrisë së SHBA), ku pjesëmarrësit u certifikuan instruktorë, duke avancuar njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale në fushën e instruktorit ushtarak.
Trajnimi ishte i fokusuar në zhvillimin e aftësive pedagogjike dhe metodologjike, planifikimin dhe organizimin e procesit të trajnimit, hartimin e objektivave mësimore, zbatimin e metodave efektive të mësimdhënies, menaxhimin e klasës dhe mjedisit trajnues, si dhe vlerësimin e performancës së kursantëve.
Përmes ligjëratave, ushtrimeve praktike dhe demonstrimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të zbatojnë njohuritë e fituara dhe të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të udhëhequr dhe realizuar trajnime në mënyrë profesionale.
Komanda e Doktrinës dhe Stërvitje është duke vazhduar të investojë në zhvillimin e kuadrove profesionale, rritjen e cilësisë së trajnimeve dhe avancimin e kapaciteteve institucionale, me qëllim të ndërtimit të një force të aftë, profesionale dhe të gatshme për përmbushjen e misionit të saj. /2LONLINE/
