DYLON

FShS në UKZ organizoi takim me Stakeholders për programin e ri master “Global Peace” në bashkëpunim me universitete partnere ndërkombëtare

FShS në UKZ organizoi takim me Stakeholders për programin e ri master “Global Peace” në bashkëpunim me universitete partnere ndërkombëtare
Avatar photo Redaksia

Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mbajtur takimin e Stakeholders në kuadër të zhvillimit të programit të ri master “Global Peace”, një program inovativ i cili bazohet në studime gjinore dhe synon të ofrojë qasje bashkëkohore për paqen globale, barazinë dhe drejtësinë sociale.

Programi “Global Peace” po zhvillohet në partneritet me tre institucione prestigjioze të arsimit të lartë në botë: Universitetin “Sapienza” të Romës në Itali, Universitetin e Bankokut në Tajlandë dhe Universitetin e Kigali-t në Ruandë.

EkoHigjiena

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, organizatave që merren me çështje gjinore, aktorë nga sektori publik dhe joqeveritar, sstudentët dhe stafi nga UKZ.

Gjatë takimit, Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, theksoi se Programi master “Global Peace” është një hap i rëndësishëm drejt afirmimit të UKZ-së si një institucion që ofron programe inovative me dimension ndërkombëtar. “Ky program jo vetëm që pasuron ofertën akademike, por gjithashtu i fuqizon studentët tanë të bëhen liderë të ndryshimit social dhe të promovojnë paqen dhe barazinë gjinore në komunitet dhe më gjerë,” tha nër tjerash Rektori Dërmaku.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, tha se ky bashkëpunim mes Universitetit Publik ‘Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Sapienza” të Romës në Itali, Universitetin e Bankokut në Tajlandë dhe Universitetin e Kigali-t në Ruandë, synon të krijojë një program ndërkombëtar me standarde të larta akademike, i cili integron praktikat më të mira globale dhe ekspertizën e universiteteve partnere.
“Bashkëpunimi me universitetet partnere ndërkombëtare është kyç për të krijuar një program të standardeve globale, andaj UKZ synonë të ofrojë mundësi për mobilitete, bashkëpunime kërkimore dhe zhvillim të moduleve që përgjigjen ndaj sfidave globale,” tha Prorektori Leka.

Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, theksoi rëndësinë e përfshirjes së aktorëve lokalë dhe praktikave profesionale. Ai tha se ky takim është një mundësi e vyer për të reflektuar mbi nevojat reale të tregut dhe për të integruar ekspertizën lokale dhe ndërkombëtare në program. Sipas Dekanit Daku, angazhimi i komunitetit akademik dhe institucional është thelbësor për suksesin e këtij programi.

Takimi gjithashtu u fokusua në prezantimin e përfitimeve kryesore të programit, duke përfshirë mundësitë për mobilitete ndërkombëtare, bashkëpunime kërkimore me partnerët, si dhe integrimin e metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies.

Pjesëmarrësit ofruan komente dhe rekomandime të vlefshme lidhur me strukturën e programit, rezultatet e pritura të të nxënit, përfshirjen e praktikave profesionale dhe zhvillimin e moduleve që reflektojnë realitetein e vendeve në zhvillim, të ndikuara nga konfliktet, pabarazitë dhe transformimet shoqërore.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt finalizimit të programit master “Global Peace”, i cili pritet të jetë një ndër programet më inovative të UKZ-së, duke sjellë perspektiva të reja për studimet e paqes dhe barazinë gjinore në nivel lokal dhe ndërkombëtar. /2LONLINE/