FShS në UKZ dhe UMSh diskutojnë për bashkëpunim akademik e shkencor
Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Selim Daku, dhe prodekani Blerim Haziri, pritën në takim profesorin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Skënder Demaliaj, me të cilin u diskutua për çështje me rëndësi në fushën e kujtesës historike dhe bashkëpunimit akademik.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte botimi i librit “Masakra e Gjilanit”, që përmban kujtimet dhe dëshmitë e Shaban Haxhisë, dëshmitar i Masakrës së Gjilanit. U vlerësua rëndësia e dokumentimit dhe ruajtjes së këtyre dëshmive për kujtesën historike, si dhe mundësia e furnizimit të institucioneve publike dhe individëve të interesuar me këtë vepër.
Në fokus ishte edhe forcimi i bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet institucioneve. Në këtë kuadër, u dakordua që Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë të bëhet pjesë e Konferencës Shkencore “Flaka e Janarit”, e cila do të organizohet në Gjilan në janar të vitit 2027.
Pjesëmarrja e profesorëve dhe hulumtuesve nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë në këtë konferencë do të krijojë mundësi për shkëmbim të përvojave akademike, forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillim të aktiviteteve të përbashkëta shkencore. /2LONLINE/
