FSHF në KAS, rasti i parë i një kombëtareje
Federata Shqiptare e Futbollit mund të jetë e para në listën e simotrave europiane që mund të dërgojë një vendim të komisioneve juridike të UEFA-s në shkallën e tretë të gjykimit, në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës.
Asnjëherë më parë një Federatë e Europës nuk e ka kontestuar vendimin e gjykatës sportive në Uefa deri në këtë instancë dhe në përgjithësi federatat janë mjaftuar me një apelim në komisionin e apelit pas vendimit të disiplinës. Duhet shpjeguar që ky precedent krijohet vetëm për vendime që kanë të bëjnë me vendime që kanë të bëjnë me skuadrat përfaqësuese A ndërkohë që në KAS shpesh klube apo futbollistë të caktuar kanë ngritur cështje në raport me federatat dhe vendimet përkatëse.
KAS ka një gamë të gjerë produktesh apelimi mbi bazën e të cilave operon por përsa i përket futbollit më së shumti aty shkojnë cështje kontraktuale që sportistë të caktuar duan ti japin zgjidhje pasi nuk besojnë te dhomat e zgjidhjes së konflikteve në federatat ku janë gjykuar fillimisht.
Shqipëria e humbi ndeshjen në tavolinë 0-3 në Beograd pas ngjarjeve në ndeshjen kundër Serbisë dhe ky vendim u konsiderua juridikisht absurd nga ana e specialistëve të fushës në FSHF. Shqipëria nuk është e interesuar nëse Serbisë I kanë hequr apo jo 3 pikë nga kjo sfidë, por ësht e fokusuar ekskluzivisht në fitimin e ndeshjes në tavolinë, një të drejtë që e konsideron legjitime. Pas incidenteve në Beograd UEFA vendosi që Serbisë ti hiqen 3 pikë për mos marje masash organizatve ndërsa Shqipërisë të humbasë 0-3 ndeshjen në tavolinë për refuzim të vazhdimit të lojës.
