Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka reaguar me anë të një komunikate zyrtare pas intervistës ekskluzive që dha babai i Adnan Januzajt të enjten mbrëma për emisionin Interaktiv të KTV-së, me ç’rast theksoi se FSHF-ja ia ka mbyllur dyert vetes sa i përket ftesës për djalin e tij.
Abedin Januzaj, ka akuzuar FSHF-në për gënjeshtra dhe dezinformata se kinse e kanë ftuar djalin e tij të luajë për kombëtaren.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) nuk ka dashur të merret në hollësi me deklaratën e Abedinit dhe as me akuzat e tij kundrejt Armando Dukës, por ka konfirmuar qëndrimin se do të bëjë gjithçka që lojtari të vishet Kuq e Zi.
“Ashtu si në çdo rast, ndjeshmëria e FSHF-së rreth talenteve shqiptarë të këtij sporti magjik, ka qenë prezent edhe për çështjen e Adnan Januzaj”.
“Qëndrimi publik për futbollistin shqiptar të Manchester United është endur mes kërkesave e ofertave, pranimeve e refuzimeve, diku mediatike, rrallë herë konkrete e më në fund gati të paqarta. Në mes të dy ‘brigjeve’, talentit Januzaj edhe atyre që e kërkojnë atë, janë vendosur barriera psikologjike me bazë nacionaliste, origjine dhe të kaluarës së tij familjare”, transmeton telegrafi.
“Pikërisht, këtu kanë nisur edhe diskutimet e mëdha me prova të vogla, të cilat ndonjëherë kapërcejnë edhe kufijtë e etikës së qytetarisë së vërtetë”.
“Federata Shqiptare e Futbollit nuk dëshiron të merret me shpjegime anësore të çështjes, sepse qartazi ato kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të krijojnë keqkuptime që nuk i shërbejnë qëllimit”.
“Ne jemi të gatshëm të pranojmë gjithçka, vetëm që i talentuari Januzaj të bëhet pjesë e kombëtares tonë dhe të kontribuoj për të ardhmen e futbollit shqiptar. FSHF deklaron zyrtarisht, se siç është vepruar edhe më parë me futbollistët që sot janë pjesë e kombëtares, do të vijoj punën pa asnjë ndikim, mëdyshje apo hezitim që Adnan Januzaj të vishet kuq e zi për të nderuar veten, familjen dhe flamurin e të parëve të tij”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga FSHF.
Kjo deklaratë e jashtëzakonshme e FSHF-së pritet të ndikojë pozitivisht në relacionet dhe negociatat e mundshme që pritet të zhvillohen mes tyre dhe babait të Adnanit./koha.net/