Freskim historik!

Freskim historik!

Si erdhi deri te sulmet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe 

NGA: Izmi ZEKA

Madeleine  Albright, sekretare e shtetit e SHBA-s, Washington, gusht 2001:

“Nuk kam gabuar kur kam thënë, se je politikan i lindur gjatë kohës së Konferencës së Rambouillet. Angazhimet tuaja gjatë luftës dhe pas luftës, ma kanë përforcuar mendimin se ti ke dhunti politike. I besoj vizionit tuaj, vizion që i ka munguar Kosovës.”( fjala është për Hashim Thaçin)

Shteti ynë i ri e ka  ndërtuar  historinë   mbi  qenësinë  e një trashëgimie historike, por përtej saj  ka diçka të veçantë  dhe të dallueshme. .. E veçanta  duhet të shihet nga aspekti i trajtimit shkencor, ngase  mund të dimensionohet  në këto dy sinteza:

e para, konsistenca qoftë e individëve ose  grupeve të ndryshme, për të ruajtur dhe luftuar për një Shqipëri të bashkuar  dhe, 

e dyta, qasja  themelore  filozofisë  së  shtet-ndërtimit.

Po të shikohet kronologjia historike, ne shqiptarët  gjithnjë kemi luftuar, por të arriturat  e luftërave  e të përpjekjeve tona,  nuk kanë përkuar me idenë e përmbylljes për shtetin  etnik unik.

Përmes kësaj trajtese, le të  prekim njërën nga çështjet shtytëse të kahes së kësaj periudhe të fundshekullit XX;  mbase sipas mendimit tim, do të jetë   fondamentale për  aleanca me miqtë me strategji më efikase të botës.

Shpejtësia e përcaktimit të përfaqësimit politik të UÇK-së në vendet evropiane,  fillimi i komunikimit me botën Euro-Atlantike, ishte fitorja më e madhe e UÇK-së. Pohimi i këtillë është i dukshëm dhe i prekshëm, sepse ky përfaqësim arriti që në mënyrë brilante të harmonizojë luftën me politikën diplomatike. Tashmë nga kjo distancë kohe mund të duket si diçka jo parësore,  mirëpo, e  themi  me përgjegjësi profesionale e politike, edhe duke pasur sado pak njohuri për politikat ndërkombëtare, bartja dhe parimet e UÇK-së në tavolinat Euro-perëndimore ndikuan   shumë anshëm,  që lufta  e UÇK-së të mos shihej sikur donin ta portretizonin disa shtete, të atillët që nuk  e kishin për dëshirë kauzën shqiptare… Andaj, tentohej me çdo çmim që luftës çlirimtare t`i jepej  ngjyrim fetar fundamentalist, pa kohezion polik, e sajesa të ngjashme.

Nëse i referohemi së kaluarës në  periudha  të ndryshme, si gjatë shekullit XIX dhe  XX,  luftërat  ishin të  pandërprera, por nuk kishte kohezion ushtarak dhe politik  dhe,  si të tilla kishin polarizime të skajshme, që në momente të caktuara  dëmtuan qëllimin e paravënë… Me  ose  pa vetëdije  u dëmtua  ideja e formësimit të shtetit, ngase më parësorja  e çështjes  mungoi… Çka mungonte në lëvizjet tona çlirimtare? Mospasja e ndjeshmërisë diplomatike me botën  e zhvilluar;  meqë orientimet në një masë nuk ishin drejtuar  në  kahe  që të bashkë-dyzoheshin interesat tona me të tjerëve.

Në politikën ndërkombëtare marrëdhëniet ndërtohen sipas bashkëveprimit të interesave të caktuara. Si duket nga ato që kanë ndodhur deri tash, ne si popull  nuk kemi arritur të shtrijmë ndikimin dhe qasjen e duhur tek forcat vendim-marrëse.  Gjithsesi planin e përfaqësimit unik, e dobësoi mospasja  e një politike diplomatike e të folurit me një zë.

Lufta jonë e fundit na jep dëshmi për të  bërë disa krahasime,  që për lexuesin e rëndomtë  do të  ishin  një  shpërfaqje  historike,  për të mos përsëritur  gjërat  që  ndikojnë  për   marrëdhëniet dhe luftën diplomatike për të qenë   faktor, qoftë i vogël në luftën e madhe evropiane  e botërore… Është dëshmuar se luftërat e përmasave botërore mund të jenë të pamëshirshme, veçmas  ndaj popujve të vegjël, të cilët nuk paraqesin interes strategjik, politik dhe ekonomik.

Le t`i qasemi pjesës së fundit të shekullit XX.

Komponentët e lart-përmendur  të diplomacisë fluturuese të UÇK-së  dhe uniteti, me të gjitha dobësitë, sollën  premisa  të  jashtëzakonshme, që lufta ndaj pushtuesve serbë  të shihej  si luftë për mbijetesë dhe,  interes “human” i SHBA-së  dhe Britanisë së Madhe,  për të mos u përsëritur Srebrenica, por dhe për të mbrojtur  dinjitetin e  humbur  gjatë luftërave që kishte bërë Serbia në Ballkan.

Të mos harrojmë: mbahet mend kur Gelbart e kishte quajtur UÇK-në “organizatë terroriste.” Pas kësaj deklarate pushteti policor i Serbisë kishte bërë masakra të papara në Kosovë.

Këtë kohë,  nëse bëjmë një krahasim  me të kaluarën  e historisë sonë, mund të shohim  dy çështje  që tashti  mund të  jenë për analizë  suksesive,  por dhe  për një proces që determinoi edhe qëndrimet politike të shtetit Amerikan.

Ushtria  Çlirimtare e Kosovës  kishte ngrehur  një rend ushtarak, deri  në nivel të Shtabit të Përgjithshëm. Kishte Zonat Operative të organizuara. Në këtë rrjedh përvijimi pati dhe Drejtorinë Politike, që bartte politikat strategjike të UÇK-së. Nga kjo distancë e shohim qartë se  ishte e arritura më e madhe e kësaj lufte. Shqiptaret historikisht në forma të ndryshme kanë rezistuar dhe luftuar për ideal kombëtar. Mirëpo, ajo që ka  shkaktuar të mos jetë  forcë,  e cila do ta  detyronte botën e zhvilluar të ulet në tavolinë, ka qenë mos uniteti  dhe veprimet  dorë pas dore, të pa sinkronizuara  mes vete, mandej  mospasja e një zëri legjitim   për  të  mbrojtur interesat shqiptare. Ne kemi bërë luftëra  kaçakësh të çetave të shumta, jemi vrarë e gjakosur, por veprimet tona nuk  kanë rezultuar  të arsyetohen aty, në kancelaritë e vendeve  ku zihej dhe vendosej për fatin e popujve.

Ishte fat i mirë që në Rambuje ishte sinkronizuar  përfaqësimi i të deleguarve të përbashkët të Kosovës, natyrisht me ide paksa të ndryshme,  por me  një qëllim të përbashkuar.

Për baraspeshën e përfaqësimit, ndër të tjera, njëri nga anëtarët e delegacionit  të UÇK-së , që ishte pjesë e Konferencës së Rambujesë,  Ramë Buja ndër të tjera në një paraqitje thotë, po citoj:

“Ishim të vetëdijshëm se po shkojmë për ta bërë të njohur luftën, përpjekjen angazhimin e UÇK-së dhe tërë popullit për liri të Kosovës. Kështu, që kjo Konferencë arriti efektin e vet pavarësisht që kishte edhe rreziqe të mëdha, sepse siç e dini besoj, dy ditë para se të përfundonte Konferenca ne na vjen drafti i parë, që na u soll nga organizatorët e Konferencës pa u përpunuar fare, pa u ndryshuar fare, pa u futur fare ajo puna e jonë që kishim bërë 17 ditë sa ishim atje dhe ne thjeshtë u shqetësuam shumë. Aty edhe filloi një farë çarje e delegacionit paksa, sepse disa që ishim tepër pak, kishin disponimin për ta nënshkruar, ndërsa ne të UÇK –së ua thamë qartë, shkurt që kjo nënshkruhet atëherë kur UÇK nuk do të zhduket, nuk do të hiqet nga skena, por do të transformohet logjikshëm dhe përmbajtësisht. Dhe, natyrisht pas tri vitesh referendumi i domosdoshëm për ta arritur qëllimin e pavarësisë së Kosovës dhe, këtë garancion na dha sekretarja e shtetit Madeleine Albright atëherë, dhe po kështu u tha që UÇK do të transformohej, nuk do të hiqej nga skena dhe kjo ndodhi dhe, ne si delegacion me shumë jo të mira në ato dy-tre ditë, vendosëm që të shtyjmë nënshkrimin e mundshëm të asaj marrëveshje pas dy javësh, gjë që ndodhi kështu”, ka thënë Buja.

Kjo që u citua është vetëm një pjesë e gjithë asaj  Konference, që vuri bazamentin  e sensibilizimit, por edhe të veprimeve të mëtutjeshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Pra, lufta edhe pse zhvillohej,  megjithatë  diplomacia dhe takimet anë e kënd botës, bëheshin  për të zgjidhur  ose  ndërprerë luftën  e UÇK-së me forcat serbe.

Në  këtë histori  përpjekjesh  Amerika si një aleat  i shqiptarëve  së bashku me Anglinë,  luftën e UÇK-së  e kthyen në tavolinë  dhe tryezë ndërkombëtare,  gjithsesi  ishte e arritura më e madhe nga fillimi i Luftës Çlirimtare në Kosovë.

Nga distanca kohore pa pasur emocione, as eufori delegacioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i udhëhequr nga Hashim Thaçi  dhe të tjerë, politikën e luftës e kthyen në fitore diplomatike, politike dhe ushtarake në përballje me Serbinë.

Arsyet  janë  të  forta  që  t`i  paraqesim në  vazhdimësi  ngjarjet, që filluan në Paris për të përfunduar  nga bombardimet e Natos.

Takimi i parë filloi në kështjellën e Rambujesë  afër  Parisit, e cila  zgjati deri më 23 shkurt, ndërsa nismëtar i Konferencës ishte Grupi i Kontaktit me ndërmjetësimin  e  Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich përfaqësues i BE-së. Ky takim  nuk arriti  të ketë sukses.

Vazhdojnë takimet me 15 mars, po ashtu,  pa sukses. Në takimin e 18 marsit  dy delegacionet kishin nënshkruar marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës  në krye me Hashim Thaçin, kishin nënshkruar marrëveshjen  e ofruar nga ndërkombëtarët dhe organizatoret e Konferencës, së cilës në një mënyrë i printe SHBA dhe Anglia, kurse delegacioni serb një projekt- marrëveshje, që parashihte projekt marrëveshje politike  për vetëqeverisje në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk me presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Slobodan Milosheviq, nuk pati mirëkuptim  që ta pranonte  marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Pas këtij takimi gjithçka mori fund dhe, më 24 mars 1999 filluan bombardimet e Natos në caqet ushtarake serbe.

Pas sulmeve të Natos Serbia detyrohet, që më 6 qershor  të nënshkruaj  marrëveshjen, që sot njihet si Marrëveshja e Kumanovës, e cila parashihte  largimin e trupave serbe nga Kosova dhe vendosjen e trupave ushtarake ndërkombëtare.

Pas kësaj marrëveshje OKB-ja miratoi Rezolutën 1244,  kur  Kosova u vendos nën protektorat ndërkombëtar, UNMIKU si mision civil dhe KFOR-i si mision ushtarak.

E përmendëm  këtë  kronologji të ngjarjeve nga Parisi deri te fundi i luftës,  për të parë se çfarë është diplomacia e forcës,  e cila ruajti konsistencën  gjatë tërë kohës.

Opinionit tonë i kujtohen veprimet e sekretares së shtetit Madeleine Olbright dhe qëndrimin e ish presidentit Klinton.

Pas çdo stuhie, në fund  janë krejt të zakonshme uljet në tavolinë për t`i dhënë kahe veprimeve  dhe vendimeve për vendet që gjenden në konflikt.

Ne shqiptarët, shikuar historikisht, më shumë kemi qenë jashtë tavolinave  ku është vendosur për ne. Gjykuar  nga kjo  rrethanë  shpërndarja e shqiptarëve në shumë shtete, ose humbja e identitetit  nuk ishin veprime të rastësishme  nga qeveritë e ndryshme ballkanike.

Prandaj  e vetmja  luftë  që kombinoi edhe diplomacinë dhe luftën politike,  mbetet kjo  e UÇK-së. Natyrisht  diplomacia dhe sigurimi i aleatëve  janë ndër faktorët më të rëndësishëm për arritjen e objektivave të një populli.

Fuqitë e mëdha  rriten dhe zhvillohen mbi popujt e vegjël. Nga kjo sentencë  dhe nga studimi i luftërave qindra-vjeçare të popujve të Ballkanit, shqiptarët  janë të vetmit që arritën të ruajnë, bashkëveprojnë dhe t`i sintetizojnë arsyeshëm vlerat e përbashkëta me Shtetin Amerikan. Kjo lidhje solli përkrahjen e fuqishme  të  liderëve  të Kosovës në  Rambouillet  në krye me Hashim Thaçin, por u shtrua dhe vizioni për të ardhmen e Kosovës.

Për të përforcuar këtë kohezion politik, ushtarak dhe diplomatik të Hashim Thaçit, le t`i citojmë disa personalitete botërore, të cilët kanë shprehur konsiderata, të cilat i ka përmbledhur Ismajl Syla në vijim të diskursit tonë:

Bill Klinton, president i SHBA-ve, nëntor 1999 (Aeroporti i Prishtinës):

“Më vjen keq që nuk jemi takuar më herët, për t’i dëgjuar orientimet tuaja demokratike.”

Wolfgang  Petrich, ambasador i BE-së, i ngarkuar për Kosovën: “Kosova/ Kosova”, Vjenë, nëntor 1999:

“Më në fund u takuam me njeriun e vërtetë, me të cilin mund të bisedojmë për Kosovën”

James Rubin, zëdhënës i Stejt Departamentit të SHBA: “Si e fituam luftën” 2000:

“Ne së bashku e gjetëm kompromisin (vër. Rubin – Thaçi) dhe e shpëtuam Konferencën…”

Madeleine  Albright, sekretare e shtetit e SHBA-s, Washington, gusht 2001:

“Nuk kam gabuar kur kam thënë, se je politikan i lindur gjatë kohës së Konferencës së Rambouillet. Angazhimet tuaja gjatë luftës dhe pas luftës, ma kanë përforcuar mendimin se ti ke dhunti politike. I besoj vizionit tuaj, vizion që i ka munguar Kosovës.”

Zbigniew Brzezinski, Instituti për Studime Gjeostrategjike i SHBA-së: “Kam dëgjuar gjëra të mrekullueshme për Ju. Unë i çmoj njerëzit e fortë dhe këmbëngulës si Ju.” ( Washington DC janar 2001).

Oja Agynesh, akademike turke dhe deputete: “Thaçi është një lider shumë impresionues dhe shpresoj në suksese sa më të mëdha të tij. Unë e çmoj qëndrimin e tij, sakrificën e tij, i çmoj njerëzit që punojnë me të, që angazhohen për pavarësi…., është e papërshkrueshme kjo. Ne të gjithë duhet të lutemi për suksesin e tij”, pohoi Agynesh.

“Unë jam eksperte për Ballkanin. Gjatë viteve ‘90 vazhdimisht i vizitoj këto pjesë të Ballkanit. Në analizat e mia unë kam cekur se vetëm rruga diplomatike nuk është rruga që do t’i çonte përpara kosovarët. Gjithashtu, duke e njohur mirë mentalitetin serb, se si ata i planifikojnë gjërat që më parë, ata kanë plane të errëta më se 100 vjeçare se si t’i nënshtrojnë kombet përreth. Për të luftuar serbët, duhet që të kesh veti të larta njerëzore, të jesh i fortë, i përcaktuar, i pa luhatur dhe i gjindshëm. Të gjitha këto veti unë i pashë te Thaçi dhe mendoj se në momentin e duhur ai e gjeti rrugën e duhur.”

James Petiffer, publicist britanik, në Intervistë, nëntor 2001: “Hashim Thaçi ishte zemra e asaj lëvizjeje, pra UÇK-së, dhe si i tillë meriton vëmendje nga historianët e ardhshëm…. Hashim Thaçi, personalitet i respektuar dhe i dëshmuar gjatë luftës, është përfaqësues kryesor i Kosovës së re”.

Ismail Kadare “Ra ky mort e u pamë”, Onufri 2000: Gjatë vizitës që i bëri delegacioni i UÇK-së shkrimtarit “…ata, me këtë gjest, me këtë këshillim tregojnë se pavarësisht nga shtresimet e pashmangshme të një guerilje ballkanase, e kanë një dozë të fortë idealizmi, një përmasë që i lidh me të ardhmen, me qytetërimin evropian.”

Wolfgang Petrich, Vjenë, më 20 janar 2015: “Është nder dhe privilegj i madh të prezantoj Hashim Thaçin si marrës të çmimit “Golden Arrow Lifetime Achievement Award”.

Hashim Thaçi është një personalitetet, i cili ka shkruar historinë evropiane nëpërmjet dy ngjarjeve të shquara:

 Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi si Kryeministër i parë i Republikës së Kosovës, e ka çuar vendin e tij drejt Shpalljes së Pavarësisë.

Pesë vjet më vonë, në prill të 2013-s, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, u arrit marrëveshja historike mes Serbisë dhe Kosovës, “për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje”.

Diplomacia  dhe politika koherente në kohë dhe hapësirë  janë dimension i veçantë i cili i fiton betejat edhe më të rënda.

Kalorësi i fundit i shtete-bërjes së Kosovës është mbase e vështirë të kuptohet nga padija dhe mentaliteti ballkanik i disave, që asnjëherë nuk arritën të transformohen në një mentalitet  të integruar dhe e evropian.

SHBA-të e ruajnë me fanatizëm Xhorxh Uashingtonin, Franca  Charles de gaulle e shumë popuj të tjerë i çmojnë personalitetet e veçanta, i ruajnë si vlera të përhershme kombëtare.

Një ditë kalorësit e lirisë do ta pushojnë kalërimin, por meqë  arritën cakun e synuar shekullor, në përfytyrimin tonë ata do të mbetën kalorës të historisë kombëtare!

Njëri nga kalorësit që doli nga amfiteatri i Prishtinës, do të shpalohet gjatë  në studimet e ardhshme shkencore, politike dhe gjeostrategjike edhe përtej Siujdhesës Ilirike të  emërtuar politikisht Ballkan. /2LONLINE.com/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE