Në raportin më të ri të organizatës Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, për liritë në botë, Kosova klasifikohet në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, me ç’rast në kategorinë e të drejtave politike vlerësohet me notën 5, ndërsa në atë të të lirive civile me 4. Në krahasim me raportin e vitit të kaluar Kosova ka mbetur në vlerësimin e njëjtë.
Nota 1 paraqet shkallën më të lirë, ndërsa nota 7 atë më të dobët.
Shqipëria në këtë raport klasifikohet si vend po ashtu “pjesërisht i lirë”, me nota 3 për të drejtat politike dhe 3 për liritë civile.
Prej vendeve të tjera në Ballkan, klasifikim “pjesërisht i lirë” i është dhënë Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë. Në kategorinë e vendeve të lira janë përfshirë Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi. Sllovenia e ka notën më të mirë 1 në të drejtat politike dhe në liritë civile.