(2LONLINE) – Ka kohë qyshse e kisha lexuar komedinë ‘Mat’ të Ag Apollonit, mbase që në qershor 2008, kur u botua së pari në revistën letrare, fatkeqësisht jetëshkurtër, ‘Oaza’. Pas dy vjetësh, në ‘Jeta e re’, njërën prej revistave letrare më në zë tek ne (për shkak të traditës së gjatë dhe të pasur) e ndesha komedinë ‘Vdekja troket’ të shkrimtarit, regjisorit e aktorit amerikan Woody Allen. Përkthyes i tekstit të Allen-it ishte, befasisht, Ag Apolloni vetë. Woody Allen komedinë e vet fillimisht e boton më 27 korrik 1968, ndërkaq ‘Mat’-i i Apollonit në fund të tekstit jep në kllapa vitin 2007; (me gjasë, të njëjtën komedi Agu e përfshin edhe në veprën e vet ‘Drama’). Idetë, tematikat që rrahin dy komeditë, janë të përputhshme përtej çdo rastësie.
Identifikime elementesh të përafërta
Të dy komeditë ballafaqojnë njeriun me vdekjen, duke e ndërthurur raportin me fije humori, siç ka guxim të bëjë arti. Në të dyja, loja zhvillohet mes dy personazhesh. Te ‘Vdekja troket’ e Allenit këta janë Nat Akerman me Vdekjen, ndërsa te komedia e Agut njeriu quhet Mat Mason. Vdekjen e perceptojmë a priori si një akt të frikshëm me të cilin dikur patjetër do të përballemi, por në komeditë e përfolura, çasti i kësaj përballjeje sjell diçka të pazakontë. Tema në thelb është mposhtja e vdekjes ose, thënë më saktë, shtyrja për do kohë e çastit të mposhtjes prej saj.
Ditë më parë gjeta një anekdotë popullore me temë të ngjashme, të cilën mbase ia vlen ta tregojmë këtu:
Engjëlli i vdekjes shkon te Nastradini për t’ia marrë shpirtin. Zoti paraprakishte kishte paralajmëruar Engjëllin e vet për dinakërinë e Nastradinit, duke e këshilluar që të kishte kujdes. Kur Engjëlli vjen, Nastradini e pret qetësisht, por i bën megjithatë një lutje: së pari ta lejonte të merrte abdes, t’i falte dy rekate, që Engjëlli shpirtin t’ia merrte gjatë aktit të lutjes. Engjëlli pranon. Nastradini nuk vihet në punë por ia vazhdon muhabetin, prandaj Engjëlli i vdekjes ia tërheq vërejtjen se s’kishte kohë për ta pritur. Nastradini atëherë i përgjigjet: “Ma lejove të drejtën që të falem. A do të çohem menjëherë, apo e lë pas dyzet vjetësh, është punë e imja”. Kështu Engjëlli i vdekjes detyrohet ta pranojë se ishte mashtruar dhe largohet pa kryer punë.
Nuk mund të spekulojmë nëse këtë anekdotë e dinin të dy autorët e dramave, ndonëse thelbi i dy rrëfimeve dramatike është i ngjashëm me të. Nat Akermani i Woody Allen-it është duke lexuar gazetë kur Vdekja përmes dritares i futet në dhomë. Te komedia e Agut, Vdekja i shfaqet Mat Masonit në dhomë në mënyrë të beftë, aty për aty, në imazhin e një prostitute, ndërsa ky po shikonte së mbrami herë foton e të dashurës, para se t’i jepte fund jetës së vet, ndonëse tërhiqet pas çdo përpjekjeje! Ngjarjet e të dyja komedive vendosen në enteriere, respektivisht në dhomat e protagonistëve. Ja ngjashmëritë e dialogëve të parë:
Vdekja troket – Woody Allen
Nati (duke e shikuar me habi): Kush je ti?
Vdekja: Vdekja.
Nati: Kush?
Vdekja: Vdekja. Dëgjo a mund të ulem? Gati e theva qafën. Po dridhem sikur gjethe.
Nati: Kush je ti?
Vdekja: Vdekja. A ke një gotë ujë?
Nati: Ç’do të thuash me Vdekja?
Vdekja: Çka s’është në rregull me ty? A po ma sheh kostumin e zi dhe fytyrën e bardhë?
Mat – Ag Apolloni
MAT
Kush je ti?
VDEKJA
Vdekja.
MAT
Kush?!
VDEKJA
Vdekja. Ti a shurdh je, a?
Pra, ndërtimi i konfliktit nëpër dialogë është tejet i ngjashëm. Elemente periferike e dallojnë pastaj tekstin prej tekstit. Në të dyja rastet, vdekja personifikohet. Befasia e ballafaqimit të njeriut me vdekjen është evidente në të dyja rastet, si shtresim ndjesor i tekstit. Ky ballafaqim është veç nisma e asaj që na pret. Kulmi dramatik arrihet te marrëveshja e çuditshme që arrijnë heronjtë me Vdekjen e personifikuar:
Vdekja troket – Woody Allen:
Nati: A nuk mund ta zgjidhim ndryshe?
Vdekja: Si?
Nati: E luan shahun?
Vdekja: Jo, lidhje s’kam.
Nati: Njëherë të kam parë në një film duke luajtur shah.
Vdekja: S’ka mundësi të kem qenë unë, sepse nuk luaj. Ndoshta, brixh.
Nati: Luan brixh?
Vdekja: Edhe po pyet?
Nati: Qenke i zoti, ë?
Vdekja: Shumë, madje.
Nati: Po të them ç’do të bëjmë…
Vdekja: Mos bën dallavere me mua!
Nati: Ne do të luajmë. Nëse fiton ti, unë do të vij menjëherë. Nëse fitoj unë, ti më jep edhe një ditë kohë. Vetëm edhe një ditë.
Mat – Ag Apolloni :
MAT
Ej, e luan shahun ti?
VDEKJA
Deri diku.
MAT
Shahu nuk luhet deri diku, por deri në mat. Di me luajt deri aty apo jo?
VDEKJA
Paj, them se po.
MAT
E luajmë një parti?
VDEKJA
Mirëpo nuk e zgjasim, ë?
MAT
Deri në mat. Luajmë me kusht.
VDEKJA
Me çfarë kushti?
MAT
Nëse fitoj – jetoj, nëse hup – vij me ty – kjo është zgjidhja ma e mirë, zgjidhje fer.
Pas këtyre marrëveshjeve, palët fillojnë lojën. Në të dyja rastet, sikurse në anekdotën e Nastradinit, Njeriu fiton dhe Vdekja zmbrapset e dëshpëruar. Aktii lojërave te të dyja komeditë është në fakt kulmi i dramatikes. Këtu përmbushet çdo gjë: kulmi dramatik, shthurja e enigmës dhe realizimi i vetë temës. Fitoret, ndërkaq, shënojnë fundin e të dyja komedive.
Përfundim
Apolloni nuk është thjesht i ndikuar nga Allen. Ai e transplanton jo vetëm idenë, temën, por ia imiton edhe strukturën tekstit. Prandaj ngjashmëritë na dalin në shumë rrafshe:
a) Në rrafshin tematik;
b) Në ambientet ku luhet loja;
c) Në numër personazhesh, në përshkrimin/ ndërtimin e tyre, ata janë persona me mbipeshë;
d) Në nivelin e ndërtimit të skenave, të situatave, që nga pika e parë deri te shthurja e fabulës;
e) Në rrafshin e tiparit më dallues të gjinisë së dramës: atë të dialogëve!
Elementi i fundit është aq identik, sa të krijohet përshtypja sikurApolloni e ka përkthyer keq dramën e Allen-it, duke lënë jashtë elemente të shumta gjatë procesit. Kështu ngjan meqë komedia e Allen-it vjen më e plotë, më e mishëruar me elemente, për të cilat ajo e Apollonit vuan, duke ardhur më parë si një fotokopje e zbehtë e të parës, përpara se krijim origjinal. Mbase ështëe rëndësishme ta shtojmë edhe këtë nga leximi paralel i dy teksteve: veç titujve që dalin të ndryshëm, gjuha origjinale e të dy veprave është po ashtu e ndryshme.
/Imer TOPANICA/