Formula 1, Vettel kampion i botës

Sebastian Vettel konfirmohet si një prej pilotëve më të mëdhenj në historinë e Formulës 1, ndërsa fitoi këtë të dielë titullin e tij të katërt radhazi, pas një sezoni të shkëlqyer në timonin e Red Bullit.

Ndonëse i duhej vendi i pestë në Çmimin e Madh të Indisë për të fituar titullin tre gara nga fundi, kampioni që lë pas emra të mëdhenj si Senna, Lauda, Piquet apo Steëart për numër titujsh të fituar dominoi përsëri, duke prerë i pari finishin e garës.

Tashmë në kuotë të barabartë titujsh me Alain Prost dhe inferior vetëm ndaj Schumaker (7) e Fangios (5), vetëm 26 vjeç, Vettel duket se i ka të gjitha mundësitë që të shndërrohet në pilotin më të suksesshëm të historisë së këtij sporti.

Përsa i përket garës, ndërsa Red Bulli festoi suksesin e veçantë, Ferrari u zhyt edhe më shumë në zhgënjimin e këtij sezoni larg pritshmërive, me Alonson që vuajti probleme të shumta në njëvendëshen e tij dhe nuk mundi të përfundonte në zonën e pikëve.

Rosberg dhe Grosjean mbyllën garën në podium, por mbi të gjitha fituan pikë të rëndësishme në luftën e ndezur për vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve./topchannel/

KOMENTE