/2L ONLINE/ – Republikanët e Kosovës, ditën e 28 dhjetorit e quajnë si një ditë të madhe për republikanët e Ballkanit pasi në këtë ditë po fillon një bashkëpunim ballkanik ku tri Partitë Republikane, të tri shteteve, Kosovë, Shqipëri e Serbi, po lidhin marrëveshje për formimin e Unionin e Republikanëve Ballkanik, duke shënuar kështu një risi dhe një hap tutje në politikën ballkanase.
Republikanët e Kosovës presin që ky hap i republikanëve të tri shteteve për të bashkëpunuar në këtë mënyrë do të mirëpritet shumë mirë edhe nga faktori ndërkombëtarë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Evropian, nga të cilët edhe pritet mbështetje.
Përndryshe, numri dy i republikanëve të Kosovës, nënkryetari Selver Xhelili është i bindur se këto hapa të republikanëve të këtyre tri shteteve do të mirëpriten edhe nga të tjerët pasi vlerësohet të jetë e rëndësishme për vendet e Ballkanit në përgjithësi.
“Shpresojmë dhe besojmë se republikanët në Ballkan do të jenë shpresë për një Ballkan të qetë, duke respektuar sovranitetin e shteteve të tyre. Do të bashkëpunohet për një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve pa dallim në Ballkan dhe në këtë drejtim do të punohet që republikanët e këtyre vendeve të punojnë drejt BE-së si dhe drejt NATO-s”, ka thënë Xhelili.
Përndryshe, rikujtojmë se ditë më parë Republikanët e Kosovës qëndruan edhe në Beograd ku u takuan me republikanët serb. Ishin Faton Kurti-kryetar dhe Selver Xhelili-nënkryetar i republikanëve të Kosovës që kishin qëndruar në Beograd, dhe siç pat thënë Xhelili, për këtë takim ishin njoftuar edhe institucionet relevante ndërkombëtare, dhe ndodhi me kusht që Republikanët e Serbisë, së pari ta njohin publikisht shtetin e Kosovës, pastaj, me ardhjen e republikanëve serb në pushtet, Serbia dhe Kosova të bashkëpunojnë si dy shtete fqinje te pavarura.
Siç kishte thënë Xhelili, Partia Republikane e Serbisë, faktikisht e kishte pranuar realitetin e ri në Kosovë – Pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar nga shteti serb dhe qeveria e Serbisë që ta njoh shtetin e Kosovës, dhe të njëjtën kohë, të kërkojë falje publike popullit të Kosovës për atë që bëri Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të normalizojë raportet si dy shtete fqinje dhe të pavarura.
Përndryshe, Xhelili thotë se tani e tutje Partia Republikane e Kosovës, do të bashkëpunojë fuqishëm me Partinë Republikane të Serbisë, me atë të Shqipërisë, si tri shtete fqinje, dhe të gjitha partitë simotra të vendeve tjera në rajon e më gjerë, duke I harmonizuar planet e përbashkëta, në interes të shteteve përkatëse të pavarura, sovrane e demokratike. /2L ONLINE/