Formimi i Ushtrisë së Kosovës prodhon siguri e stabilitet në Ballkan

Formimi i Ushtrisë së Kosovës prodhon siguri e stabilitet në Ballkan

Propozim projektligji nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për Forcën e Sigurisë së Kosovës me qëllim shndërrimin e saj në ushtri të rregullt vërtetë është për t’u përshëndetur dhe sa më parë do të duhej miratuar nga Deputetët e Parlamentit të Kosovës.

Refik HASANI

Kur e marrim për bazë që Republika e Kosovës edhe pas gati një dekade si shtet i pavarur nuk ka ende ushtri kjo e shton domosdoshmërinë që Kosova të ketë ushtrinë dhe shërbimin ushtarak të detyrueshëm.

Aq më parë në kohën kur Rusia ndihet më e pranishme, me forca të mëdha në Serbi, që nga lufta e dytë Botërore. në kohën kur Serbia dëshiron të ruan ndikimin tek bashkëvendësit e vetë të Kosovës, në kohën kur fqinjët e Serbisë, Federata e Bosnjë Hercegovinës, Republika e Malit të Zi, dhe kur edhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë nuk kanë dhe nuk posedojnë ndonjë ushtri e arsenal ushtarak dhe rrezikohen nga Serbia. Këto shtet ndihen jo të sigurta nga Serbia e cila është dhe ndihet superiore dhe ka një industri për prodhim të armatimit që ka filluar të ngritë kapacitetet e saja.

Kështu formimi i Ushtrisë së Kosovës do të prodhonte vetëm siguri e stabilitet në këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës dhe është një baraspeshë ushtarake në njëfarë mënyre.

Përveç Hungarisë dhe Kroacisë të cilat kanë një stabilitet ekonomik dhe ushtritë e tyre të stërvitura mundë të krahasohen me Serbinë, tjera shtete që përmenda nuk janë as të përgatitura në shkallë të duhur. Edhe Bullgaria nuk është ndonjë shtet që ka ndonjë ushtri përveç që duhet bazuar se është anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Rusia në tri vitet e fundit ka mbajtur disa trajnime të mëdha ushtarake në Serbi, në territorin e “vëllait” dhe aleatit më të besueshëm në Ballkan dhe ndoshta në këtë pjesë të Evropës. Prandaj Rusia përmes Serbisë cenon sigurinë dhe krijon pasiguri në këtë pjesë të Ballkanit e jo formimi i Ushtrisë së Kosovës. Unë, edhe në shkrimet e mëparshme kam trajtuar temat se si Serbia është mes të Rusisë dhe BE-së, kinse duke u munduar të luaj këtë rol, por në fakt është ekskluzivisht vetëm në anën e Rusisë.

Këto janë vetëm disa nga arsyet që Kosova sa më parë të formojë ushtrinë dhe që pastaj bashkërisht me Malin e Zi, Maqedoninë, Kroacinë, Slloveninë , Federatën e Bosnjë Hercegovinës, Bullgarinë, Hungarinë, Greqinë të jenë jo vetëm pjesë të BE-së e NATO-së, por edhe të shkëmbejnë përvoja duke bashkëpunuar ngushtë në të mirë dhe interes të sigurisë së kësaj pjese të Evropës.

Republika e Kosovë nuk është kundër asnjë shteti dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës do të krijonte vetëm siguri e stabilitet në këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE