Qemajl MUSTAFA
/2L ONLINE/ – Pas lajmit për “formatimin” e pjesshëm të qeverisë lokale në Gjilan, po e plasoj këtë opinion timin më shumë në cilësinë e qytetarit të mbushur përherë me dashurinë e dlirë e të pakufishme për qytetin tim, për komunën time se sa në cilësinë e ish kryetarit për gjashtë vjet të kësaj komune.
Janē së paku tri gjëra themelore që e mbajnë në këmbē njē “domaqinllēk” të mirë dhe e bëjnë të marifetshëm e të nderuar rrafsh sikur puna e shkamit (skemlisë) që mbahet me tri këmbë:
1. Njeti i mirë me e ndreqë shpinë,
2. Dija për me e ndreqë më së miri shpinë dhe
3.Puna e palodhshme çdo ditë të Zotit (edhe ditën e Xhumasë, por edhe të Shtunën edhe të Dielën) për me e ndreqë shpinë.
Provoni e hiqjani cilëndo prej këtyre komponenteve (këmbëve) kësaj tërësie dhe lehtë e qartë keni me e pa që nuk ka me pas qeverisje të mirē sepse me një ose me dy këmbë shkami nuk mbahet dot – ai rrëzohet.
Ndërrimet e paralajmëruara para rrafsh një viti (të ripërsëritura si retorikë disa herë, edhe ne Janar të këtij viti) e që sot i ka bërë kryetari i komunēs sē Gjilanit janë ndërrime që dëshmojnë një qeverisje (gati) dyvjeçare të dështuar keq për së paku disa nga arsyet në vijim:
a) Për shkak të paralajmërimit të formatimit para një viti (e ndërrimet bëhen vetēm atëherë kur gjërat shkojnë keq ose të paktën nuk funksionojnë si duhet),
b) Për shkak të vonesës njëvjeçare që do të thotë se kryetari me koshiencë dhe me inercion ka lejuar që rrafsh një vit e keqja në komunën tonë të vazhdojë dhe të trashet deri në mosdurim,
c) Zëvendësimet jo premtuese në shumicën e sektorëve sepse janë vendosur për drejtues të tyre njerëz pa pedigre publike, pa eksperiencë e pa referenca qeverisëse e që do të thotë pa dijen e mjaftueshme për t’u sfiduar me kërkesat gjithnjë nē rritje të qytetarëve nē këta sektorë dhe
d) Nuk janë ndërruar ata që me vite janë të përfolur dhe që ne i kemi lënë në shqyrtim nëpër komisione disiplinore e që sot janë duke u hetuar për nga prokuroritë.
Me këto ndërrime është manifestuar për të satën herë mungesa e njetit të mirë, ose pamundësia, ose mungesa e dijes te kryetari aktual për ta bërë më të mirën për komunën tonë e që pikërisht është detyrim ligjor dhe obligim politik i tij. Ose, ndoshta janë bërë bashkë që të tria këto të këqija nga pak.
Sidoqoftë, kjo ka pak rëndësi për qytetarin e Gjilanit, por tepër me rëndësi për të është se komunës së tij i është ndalur drastikisht trendi zhvillimor si dhe i është cënuar rregullësia e ligjshmëria në qeverisje. Komunën ka filluar me të madhe me e kapë “ndryshku” në shumicën e sektorëve. Kjo ka ndodhur pikërisht me shkeljen e LDK dhe të z. Haziri në qeverisje.
Më besoni, do të isha i lumtur po të isha i gabuar me këtë rast dhe po të ishte ky vetëm opinion i imi dhe i opozitës në Gjilan. Për fat të keq, sot, ky është opinion i shumicës dërmuese të qytetarëve të komunës së Gjilanit, duke përfshirë edhe grupe të militantëve të vet z. Haziri dhe të LDK-së.
Dita e mirë thonë tregon në mëngjes e këtij kryetari dhe LDK-së në Gjilan edhe dreka i ka marrë keq!.
Me këto ndërrime veçse është joshur në numra koalicioni qeverisës që në esencë është koalicion i qëndrueshëm vetëm politikisht po tepër zilam dhe i “hollë” profesionalisht.
Edhe sikur kryetari t’i kishte vendosur drejtorët me kohë si dhe më të mirët që i ka koalicioni në qeverisje (e që nuk e bëri asnjërën nga fillimi), një mandat prej katër vitesh është përherë i shkurtër për ta treguar maksimumin që mund ta jep një formacion. Me hendikepin e “këmbëve të thyera” në gjysmë të lojës dhe me “paterica” le që nuk mund të fitohet beteja po loja që luhet në vazhdim është e neveritshme dhe e mundimshme për publikun. Në këso situatash publiku rëndom ikë nga stadiumet dhe palestrat duke i lënë ato të zbrazura pikërisht ashtu qysh publiku i Gjilanit po e braktisë dhe duhet ta braktisë Lutën dhe LDK-në.
“U mashtruam keq që u dhamë votën?!” – shprehen sot në shumicë qytetarët e komunës, duke mos u thelluar në analizën e zgjedhjeve të fundit lokale në Gjilan.
Ishin këto zgjedhjet më kontraverse dhe në kuptimin më të plotë të fjalës, më të manipuluarat dhe më jodemokratiket deri tashti. Jo në kuptimin formal e procedural po ndryshe, në kuptimin moral të tyre. E them këtë duke u bazuar në argumentet që po i sjell në vazhdim:
– Vetëm në këto zgjedhje ndodhi që te “Jeta në Kosovë” moderatorja t’i drejtohet z.Hazirit me pyetjen “A jeni ju z. Haziri më shumë kandidat i SHIK-ut apo i LDK-së për kryetar të komunës së Gjilanit?”. Në muajt në vazhdim shumëçka u sqarua me dofarë darkash të kryetarit në “Puro” në Prishtinë dhe me deklaratat e hapura të disa “jaranave” të tij në PDK se ia kishin ndihmue shumë që të bëhej i pari i Gjilanit.
– Vetëm në këto zgjedhje ngjau që Lutfi Haziri të mos i shkojë në ballafaqim publik asnjëherë kundërkandidatit të tij duke i fshehur kështu të metat e tij të pariparueshme për të qeverisur qoftë edh një mëhallë e le më një komunë të madhe
– Vetëm në këto zgjedhje ngjau që një pjesë e mirë e formacionit të PDK ta votojë hapur kandidatin e LVV dhe një pjesë (më e vogël), kandidatin e LDK dhe të AAK. Ishte kjo përdhosja më e madhe që ndonjëherë i bënte PDK-së, programit të saj dhe luajalitetit ndaj saj vet struktura e saj e dirigjuar, e nëpërkëmbur dhe e hutuar nga lartë e nga jashtë.
– Edhe në këto zgjedhje u manipulua vota e qytetarit të varfër e të painformuar me financime të shumta e me gënjeshtra premtimesh për “parajsën” e ditëve në vijim. Popullit iu shit si kurrë më parë “dushku për gogla” e që këtë dinë dhe e bëjnë vetëm politikajtë e paskrupull, të pacipë, të papërgjegjshëm dhe popullistët e sëmurë të Ballkanit.
Dhe çka të thuhet më tej?
Nëse një kryetar komune vie me këso hendikepesh sa i përket personalitetit të vet politik e moral, nëse vie në majë të komunës përmes një procesi zgjedhor me kaq shumë manipulime, mashtrime e gënjeshtra, a thua mund të presim ne qytetarët më shumë nga po i njëjti personalitet? Sigurisht se jo. Këtij rasti “sui generis” i mungojnë së paku dy këmbë të skemlisë, në mos edhe të trijat, fatkeqësisht!.
E ju, ndonjëri nga drejtorët e shkarkuar sot, nëse vërtetë e keni patur njetin e mirë për me e ndreqë komunën dhe nëse e keni dhënë maksimumin e angazhimit për ta bërë këtë mos u shqetësoni se punën dhe qëllimin e mirë populli “e nuhatë” dhe e mirënjeh me shumë saktësi ashtu qysh po e përmend çdo ditë e më shumë punën e mirë e me plotë përkushtim të kryetarit dhe të koalicionit PDK-AKR në ato gjashtë vitet e kaluara.
Unë dhe të gjithë qytetarët e Gjilanit jemi me juve ndonjërin nga drejtorët që vërtetë e keni patur qëllimin fisnik por, asnjëherë dhe kurrë nuk jemi me ata prishësit në qeverisje që puthin dorë e bëjnë “temena” për ta joshur pa kusht shefin dhe konjukturën e tij.
Në punët publike ndershmëria dhe puna e mirë patjetër shpërblehet shumëfish herët a vonë sikur që, punët e pista e pandershmëria të korisin keq herët a vonë.
Pa dashni mungon motivi e pa motiv s’ka punë t’hajrit!.
Mjerë ai qi nuk duron! – thoshte Luigj Gurakuqi dikur.2L ONLINE/