Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i kryesuar nga Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, ka kryer disa takime me mërgatën shqiptare në Zvicër si dhe me përfaqësues të partive politike kryesore zvicerane.
Në takimet me komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër, Z. Molliqaj është njohur nga afër me çështjet dhe sfidat me të cilat ata përballen në Zvicër, ndërkohë që ai ka dhënë një shpjegim të situatës ekonomiko-politike të Kosovës, dhe të pakënaqësisë së madhe qytetare karshi kësaj situate. Në këto takime Z. Molliqaj është përqëndruar te roli që mërgata e organizuar mund të luaj në transformimet e dëshiruara për Kosovën, duke marrë parasysh edhe faktin që në zgjedhjet e fundit parlamentare 51% e votës së mërgatës shqiptare shkoi në mbështetje të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Gjatë kësaj vizite Molliqaj ka patur edhe një takim shumë frytdhënës në Bern me Sekretarin Ndërkombëtar të Partisë Social Demokrate Zvicerane, Peter Hug, me të cilin janë dakorduar për të ndërmarrë hapa konkretë rreth forcimit të bashkëpunimit bilateral mes dy subjekteve politike. Më tej Molliqaj është takuar edhe me Rinisë Socialiste të Zvicrës, Fabian Molina, organizatë nën ombrellën e partisë Social Demokrate Zvicerane, me të cilën u diskutua fillimi i bashkëpunimit mes kësaj organizate dhe aktivistëve të rinj të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Gjithashtu, Molliqaj është takuar edhe me deputetin e Partisë së Gjelbër, Ueli Leunberger dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë së Gjelbër, Balthasar Glättli, më të cilët janë diskutuar propozime konkrete në lidhje me shkëmbin e përvojës dhe ndihmën në fushën e energjisë së rinovueshme.
Pas kësaj vizite në Zvicër, Molliqaj do ta vazhdoj udhëtimin e tij drejt Austrisë me synimin për të punuar aty më nga afër me mërgatën shqiptare.