Forcimi i bashkëpunimit institucional për mbrojtjen e shëndetit publik dhe reagimin në situata emergjente
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, ka zhvilluar një takim me drejtoreshën dhe stafin e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, gjatë të cilit u diskutua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit.
Theks i veçantë iu kushtua mbrojtjes së shëndetit publik, me fokus në situatat epidemiologjike, koordinimin e veprimeve dhe reagimin e përbashkët në situata emergjente.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për shkëmbimin e informacioneve dhe rezultateve lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm dhe të ushqimit, si dhe me gjendjen epidemiologjike.
Po ashtu, u shqyrtuan mundësitë për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe parandalimit të situatave që mund të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.
“Bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve përbën një element të rëndësishëm në ndërtimin e një qasjeje të koordinuar dhe në rritjen e gatishmërisë për përballimin e situatave emergjente, gjithmonë duke pasur si prioritet mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, ka thënë drejtori Shabani.
Sipas tij, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim mbetet e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit me institucionet relevante, në funksion të rritjes së gatishmërisë dhe kapaciteteve institucionale. /2LONLINE/
