Forca e Sigurisë së Kosovës përmbyll me sukses ligjëratat në shkolla të ndryshme për vetëdijesimin ndaj rreziqeve nga mjetet shpërthyese
FSK gjatë një periudhe kohore tre javor ka realizuar ligjërata për vetëdijesimin e nxënësve lidhur me rreziqet nga mjetet shpërthyese. Ky aktivitet është realizuar në 48 shkolla në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe shkollat e komuniteteve jo shumicë. Gjatë kësaj periudhe ligjëratat janë mbajtur në shumë komuna ku pjesëmarrës ishin mbi 1,680 nxënës të shkolla të ndryshme të ciklit fillor dhe të mesëm të ultë.
Ligjëratat kishin për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimin e nxënësve mbi rreziqet potenciale, si dhe mënyrat e veprimit të sigurt në rast të hasjes në mjete shpërthyese.
Ky aktivitet u realizua falë angazhimit dhe punës së palodhshme të instruktorëve të Kompanisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim kontribuuan në edukimin dhe sigurinë e brezave të rinj.
Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e aktiviteteve të tilla me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. /2LONLINE/
