QKSS ka publikuar raportin e përpiluar nga juristi Dr. Robert Muharremi i cili ngërthen argumente juridike lidhur me mundësinë e ndryshimit të mandatit të FSK-së. Sipas interpretimeve juridike të paraqitura në raport, nuk nevojitet ndryshimi i Kushtetutës për formimin e ushtrisë sepse Kushtetuta ka deleguar Ligjin për caktimin e kufizimeve në numër dhe pajisje.
Nenet ekzistuese të Kushtetutës së Republikës së Kosovës listojnë FSK-në si institucion i parë nga institucionet e sigurisë që e kategorizon atë institucion primar të sigurisë, njëjtë sikurse listimi i ushtrive apo forcave mbrojtëse (varësisht nga termi), në Kushtetutat e shteteve tjera sovrane.
Raporti konstaton se përmbajtja e neneve relevante të Kushtetutës ka terminologji thjesht ushtarake.
Nocionet “rekrutim”, “komandant”, “forcë kombëtare” por edhe “mbrojtje”, kategorizojnë FSK-në në radhët e institucioneve të mbrojtjes.
Tutje, raporti bën një krahasim me shtetet tjera, të cilat nuk kanë domosdoshmërish emër “ushtri” apo “Forca të Armatosura”, duke dhënë shembuj të shteteve të ndryshme, të cilat kanë të emërtuara institucionet në forma të ndryshme sikurse “forcë mbrojtëse” “forcë vetëmbrojtëse”, e kështu me radhë.
Vazhdimi i ekzistimit të emrit FSK- i cili mund të bëhet vetëm me ndryshim të Kushtetutës – nuk ka implikime funksionale në misionin e ardhshëm të institucionit.
Sipas raportit, kufizimet ekzistuese në mision, numër dhe armatim mund të largohen vetëm me ndryshimin e ligjeve primare (pra ligjet që rregullojnë FSK-në dhe ato që ndërlidhen me institucionin).
Këto ligje mund të ndryshohen me shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Kufizimet nga Plani e Ahtisaarit kanë mbaruar me automatizëm në momentin e mbylljes së Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe mbarimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, në vitin 2012.
Duke përdorur një qasje të tillë, do të përshpejtohej procesi i formimit të institucionit të ri me mandat tipik të mbrojtjes. Si rrjedhojë, do të tejkaloheshin pengesat ekzistuese politike, njofton Zyra për Informim e QKKS-së.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=61883