Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ambasadorja gjermane Angelika Viets, drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, drejtori i BQK-së, Bedri Hazma dhe kryetari i Bordit të Fondit, Hajdar Korbi.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve tha se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe se ka për synim që të ndihmojë rritjen e qasjes në financa për ndërmarrjet me qëllim të krijimi të vendeve të punës, të rritjes së prodhimit vendor dhe të shërbimeve, përmirësimit të bilancit tregtar.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se ky fond do të jetë shtyllë e Fondit për Investime dhe Zhvillim që është paraparë me programin qeverisës.
“Në fillim të këtij mandati, të gjithë ne jemi përkushtuar me prioritet për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo ngjarje sot na konfirmon se jemi duke i realizuar zotimet tona për të krijuar mekanizma për investime dhe për punësim. Jam i bindur se Fondin Kosovar për Garanci Kreditore po e themelojmë në një periudhë kur i kemi konsoliduar politikat tona fiskale, kur kemi një sektor stabil bankar, kur ecuritë makro ekonomike janë pozitive dhe më të mira në regjion, në qoftë se i matim me rritjen vjetore të GDP-së dhe kur fryma ndërmarrëse, sidomos e të rinjve është në një trend të ngritjes”, tha kryeministri Mustafa.