Fond të veçantë për nxënësit e dalluar

Fond të veçantë për nxënësit e dalluar

Edhe përkundër që ekziston Fondi i Ekselencës në Gjilan, i cili më shumë është i orientuar kryesisht për studentë, gjithsesi se komuna në një kohë sa më të shkurtër që është e mundur, duhet të themelojë një fond të veçantë për nxënësit e dalluar dhe mësimdhënësit mbështetës të këtyre talenteve.

Shkruan: Fehmi SYLEJMANI

S’do mend se, sot në shkollat tona ka nxënës me aftësi dhe talent të rrallë për ndonjë lëmi të caktuar, teksa institucionet qoftë komunale, qoftë qendrore shumë pak kanë bërë dhe po bëjnë për këtë kategori shoqërore, veçanërisht në aspektin material.

Institucionet relevante komunale urgjentisht duhet ta krijojnë një fond të mjaftueshëm material për këtë komunitet të nxënësve, fatmirësisht çdo ditë e më tepër sa vjen e rritet, në mënyrë që nxënësit e dalluar nëpër gara të ndryshme brenda vendit dhe jashtë vendit të kenë një kompensim material në formë page apo burse. Përderisa , kjo pagë apo bursë, konform rezultateve kulmore të nxënësve të dalluar, përkatësisht ky fond, fillimisht duhet përpiluar dhe hartuar mbi bazën e dispozitave ligjore, e më pas në Kuvendin komunal edhe të aprovohet. Dhe në këtë rrafsh, duhet dhënë kontribut të gjitha grupet e interesit, meqë ardhmëria e këtij vendi, varet kryesisht nga të rinjtë.

Janë një mori faktesh pse duhet krijuar një fond të tillë, e që do të ndikojë në shumë aspekte kryekëput tek nxënësit, si:

• Motivimi dhe frymëzimi për punë të vazhdueshme
• Edukimi dhe arsimimi i lartë i kësaj kategoria
• Edukimi dhe kultivimi i punës së tillë
• Synimi i triumfeve në disiplina të ndryshme
• Imazhi i vetë nxënësit, shkollës, komunitetit dhe komunës
• Inspirimi i të tjerëve për tu marrë më shumë me mësime/studime
• Konkurrencë e denjë ndërmjet vetë garuesve
• Formësimi i një personaliteti stabil dhe me vlerë
• Krijohet dhe zgjerohet rrjeti i talenteve
• Krijohet një fidanishte e talenteve të gjitha fushave
• Krijohet kulturë e vazhdueshme e punës së mirë të këtyre talenteve
• Rritja e padiskutueshme e cilësisë në arsim.

Përveç këtij fondi të veçantë, do të ishte mirë që mekanizmat institucional të komunës t’ju japin edhe disa benifite kësaj kategorie elitare të të rinjve si psh. hyrja në teatër falas, regjistrimi në bibliotekë falas, ndjekja nga afër e të gjitha ndeshjeve sportive – falas, vizita monumenteve, figurave dhe vendeve historike, shëtitje dhe ekskursione relaksuese njëditore nëpër Kosovë, në mënyrë të organizuar nën patronatin e komunës.

Gjithë ashtu do të ishte më së e pëlqyeshme, që pesë nxënësit më të dalluar apo edhe më tepër, varësisht nga rezultate e arritura, të shfaqen me foto dhe suksese kulmore në projektorin që qëndron te teatri në qendër të qytetit, në mënyrë që secili kalimtar të entuziazmohet me të arriturat e tyre arsimore.
Po ashtu, do të ishte mirë, që në të gjitha shkollat të organizohet mësimi me orë shtesë për nxënësit që tregojnë prirje të veçantë në disiplina të caktuara, si kundër që do të organizohet edhe mësimi me orë plotësuese për nxënësit me ngecje në lëndë të ndryshme. Për të gjithë ata mësimdhënës, që shfaqin dëshirë dhe vullnet për të punuar me këto dy kategori të nxënësve, t’ju sigurohen mëditje shtesë për punën e tyre meritore, kuptohet kjo parashihet jashtë orarit mësimor.

Ndryshe komuna e Gjilanit ka pas kampion kombëtar e mbarëkombëtar të nxënësve, pjesëmarrës të olimpiadave botërore të matematikës si kundër edhe studentë që po vijojnë studimet në kolegje më prestigjioze botërore, mbase disa i kanë mbaruar dhe janë n përfundim edhe të doktoraturës, e siç dihet komuna pothuajse fare nuk ju ka ndihmuar.

(Autori është anëtar i Komitetit të Arsimit në Gjilan nga radhë t e Lëvizjes Vetëvendosje!)

KOMENTE