FMN aprovon rishikimin e dytë dhe të tretë të programit SBA me Kosovën

FMN aprovon rishikimin e dytë dhe të tretë të programit SBA me Kosovën

Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Ruud Vermeulen dhe Guvernatori i BQK-së Bedri Hamza kanë mbajtur sot Konferencë për Media, ku kanë folur për aprovimin nga Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar të rishikimit të dytë dhe të tretë të programit SBA me Kosovën.

Ministri i Financave Avdullah Hoti duke falënderuar për vlerësimin pozitiv të Bordit të FMN-së tha se implementimi me sukses i reformave strukturore në menaxhimin e financave publike dhe arritja e caqeve fiskale që mbështesin qëndrueshmërinë ekonomike ka rezultuar dje, më 13 mars, në aprovimin e suksesshëm të rishikimit të dytë dhe të tretë të programit nga ana e bordit ekzekutiv të FMN-së.

Kjo i ka mundësuar Kosovës qasje në 100 milionë euro financim direkt buxhetor. Disbursimi i këtij financimi, së bashku me 72 milionë euro tashmë të disbursuara në fazat më të hershme të programit (apo 172 milionë në total), i kanë dhënë Kosovës mundësinë e implementimit të politikave ambicioze për zhvillimin ekonomik duke mos e cenuar në asnjë moment stabilitetin makrofiskal në vend.

Ai gjithashtu shtoi se para Rishikimit të Dytë dhe të Tretë të Programit më 2016 dhe 2017, që dje ka rezultuar me financim shtesë prej 100 milionë euro, janë ndërmarrë masat në vijim:
Në shkurt 2016, Kuvendi i Kosovës ka nominuar emrat për ulëset boshe në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (BSHPP).

Në mars 2016, Qeveria e Kosovës ka vendosur rregullën për përcaktimin e pagave në sektorin publik në pajtim me rritjen ekonomike në vend, si pjesë e amandamentimit të LMFPP.

Në mars 2016, po ashtu si pjesë e amandamentimit të LMFPP, Qeveria e Kosovës ka krijuar “klauzolën për investime”, një rregull kjo që i zgjeron mundësitë për rritjen e buxhetit, por në të njëjtën kohë kufizon rritjen e buxhetit vetëm përmes financimit të favorshëm dhe vetëm për investime kapitale me karakter zhvillimor ekonomik.

Në mars 2016 Qeveria e Kosovës gjithashtu ka miratuar projektligjin që e bën prokurimin elektronik të detyrueshëm për të gjitha agjencitë e qeverisë qendrore.

Në mars 2016 Qeveria e Kosovës ka miratuar një koncept dokument të detajuar me një listë të projekteve të reja kapitale që do të financohen nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Në tetor 2016 dhe në shkurt 2017 Qeveria e Kosovës ka zgjeruar listën e mallrave dhe shërbimeve për prokurim të përbashkët/centralizuar. Në tetor 2016, si pjesë e prokurimit të centralizuar janë dhënë kontratat për 43 institucione qendrore qeveritare dhe agjenci, për karburant, furnizime për zyre dhe bileta avioni.

Në dhjetor 2016, në bazë të propozimit të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Buxhetin 2017 në linjë me politikat dhe parametrat që Qeveria i ka përcaktuar sipas programit me FMN-në dhe
Kuvendi i Kosovës ka miratuar amandamentet për Ligjin për Veteranët e Luftës që ofrojnë një mekanizëm të qëndrueshëm financimi për përfitimet e veteranëve.

Gjithashtu, janë përmbushur edhe përkushtimet tjera programore, ku vlen të theksohet edhe amandamentimi i Ligjit për BQK-në, i cili është miratuar javën e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, sipas propozimeve të FMN-së.

Ministri Hoti gjithashtu tha se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës tashmë kanë filluar me implementimin e kritereve që parashihen të përmbushen deri në Rishikimin e Katërt të Programit. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të përmbush të gjitha obligimet që dalin nga kjo Marrëveshje, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka për shtetin tonë implementimi i saj e rrjedhimisht ruajtja e stabilitetit financiar të vendit.

KOMENTE