DYLON

Fluturojmë kaheve të panjohura

Fluturojmë kaheve të panjohura
Avatar photo Redaksia

Cikël poetik
Fluturojmë kaheve të panjohura
Mehmetali REXHEPI

VRIMA E ZEZË
1
Sytë e mendjes rrokin
një cep të lëmes Kashtës së hedhur të Kumtrit
në lëmë të arave të kozmosit
afshet e bymimit të kallinjve të yjve
Një Amë mbarsur polli bymimin me shpërthime
shkapërderdhen kokrra të pjekura për shirje
kaheve të gjithanshme të pikë-spërkatjeve prej vlimit
përplasur e të përbashkuar ndarë e mëvetësuar largueshëm
Udhës së Qumështit sekush vërshëlleu pa iu ndalur copëzimit
ca grabitën hisen e dritësimit
të tjerët palcën e llavës më vete
vlimet qumështore përthithën bebëzat e syve

EkoHigjiena

2
dhe po zgjerohen universet
dritë e syrit të mendjes
tërë një jetë mëtoi e mbeti pezull
andej perdes së mjegullnajës
si ndizen e si shuhen diejt e imagjinatës
si bulëzojnë e pulsojnë zemrat e yjësisë tjetër
pikëpyetjet mëtojnë si anijet kozmike
të shqyejnë zhguall përgjigjesh
anonimët pa trajtë pa gojë duke bredhur
hapësirës deri në goditje apo djegie të fqinjit

3
universin tim të vogël
e ngufatkan mjegullnajat
syrit të mendjes ia mbyllkan rrezet
dhe sillet rrotull e rrotull
pa ia çelur enigmës
asnjë dritare apo derë
ngujimi i përhershëm i egos s’është i mundur
mendjeve me rrojtje ethesh
kush t’ua joshë Shpresimin që dallgë fashitë
nëse asgjë dëshirat kureshtjet të mos i fikë
mjegullnajës së vatrës t’ia shpalos pamjet
të shohin brenda teje sojin e njeriut si përpëlitet
dhe nga vetja jonë skëterrë
po ik e ik vetëm ikën
deri te një Vrimë e Zezë
gojë – hapur për të na gëlltitur

Gjilan, dhjetor 2025

MATERIA E ERRËT DHE DRITA

1
Ndoshta më parë trilionë vitesh
një dritë e një galaktike që atëherë
kishte nisur shfaqjen drejt nesh
kush mund ta priste të vinte e të dëftonte
humnerave të zbrazëta të spirales Udhës së Qumështit
enigma si të dëshmonte diçka të pa dëshmuar
se as skajet më të errëta të materies
atë shkëlqim drite nuk e errësuan dot
Përderisa kurrë fundin udhëtimit nuk i pa por seç thotë:
jemi atje ku nuk arrin as imagjinata juaj
ende shumë errësirë ka edhe në të ndërdymën tuaj
materies së errët assesi nuk i bëhet vonë gllabërimin tua gatuaj

2
materia e zezë vijon të shtrihet në gjithësi
atje ku nuk ndizen zjarre
gjithçka do të shpërbëjë e të përpijë
të lërë në gjithë shtrirjen zbrazësi
andej ku graviteti i galaktikave
me fërkime nuk konkurron
nuk frymon
për krijimin e diejve të rinj
vetëm zjarret zbërthejnë kaltërsi
dhe shkrijnë akuj atomesh të zinj

Gjilan, qershor 2026

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.