(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot një delegacion i sektorit të kulturës nga Lugina e Preshevës me të cilët kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit në mes tyre në fushën e kulturës, konkretisht lidhur me manifestimin gjithëkombëtar tradicional “Flakadani i Karadakut” që ju kushtohet jetës dhe veprës së dëshmorit Njiazi Azemi i njohur si komandant mjekra i cili ra heroikisht në luftën e UÇPMB-së në Stanecë të Preshevës.
Kryetari i Komunës Sokol Haliti u shpreh se komuna e Vitisë ka nderin që sot kanë ardhur përfaqësues të sektorit të Kulturës nga Presheva për të bashkëbiseduar për mundësinë e bashkëpunimit në mes të kësaj komune me përfaqësuesit e sektorit të Kulturës së Luginës së Preshevës. “Jemi të nderuar që sot kemi mysafir vëllezërit tanë nga lugina e Preshevës, dhe njëkohësisht ju informoj se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju dhe ky bashkëpunim është edhe obligim i ynë ndaj Nijazi Azemit-Komandat Mjekra pasi që ai ka rënë në luftën e UÇPMB-së.”u shpreh Haliti.
Ndërsa Drejtori i shtëpisë së Kulturës të Preshevës, Naser Nuredini tha se përkundër barrierave artificiale që janë krijuar në mes të Kosovës dhe Luginës së Preshevës ato duhet të thyhen përmes bashkëpunimit.
“Kultura është ajo që mund të thyej barrierat të krijuara në mes të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, ne e kemi obligim moral ndaj Komandant Mjekrës që të bashkëpunojmë në mes veti dhe për këtë ne kemi ardhur nga Presheva këtu që të përmbushim obligimin ndaj tij. Ai tha se barrierat e krijuara nuk duhet të jenë arsye që të zbehet jeta kulturore theksoi Nuredini.
Ai gjithashtu shtoi se ata janë të gatshëm që të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet e Manifesitmit tradicional gjithëkombëtar “Flakadani i Karadakut” Ndërsa Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport të Vitisë, Kaltrina Sylejmani theksoi se përveç takimit të ditës së sotme do të mbahen edhe takime të tjera ku do të bëhet bashkërendimi i aktiviteteve që mbahen për nder të këtij manifestimi, duke përkujtuar se dëshmorët kanë rënë për një ideal të përbashkët andaj edhe ajo potencoi se ky bashkëpunim duhet të thellohet edhe më tej. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i ansamblit “Presheva Jehon “ Asim Nuhiu,
Kryetari i këshillit drejtues të shtëpisë së kulturës në Preshevë, Zeqir Fazliu si dhe përgjegjësi i sektorit të kulturës në Viti, Ismet Sejdiu. Gjatë këtij takimi ata janë marrë vesh që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të bëjnë bashkërendimin e aktiviteteve që parashihen të mbahen për nder të Manifestimit tradicional gjithëkombëtar “Flakadani i Karadakut” i cili ju kushtohet jetës dhe veprës së dëshmorit Njiazi Azemi i njohur si komandant mjekra i cili ra heroikisht në luftën e UÇPMB-së në Stanecë të Preshevës./2lonline/