DYLON

Flakadanët e kujtesës ndezen për heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka

Flakadanët e kujtesës ndezen për heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka
Avatar photo Redaksia

Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, është mbajtur aktiviteti simbolik i ndezjes së flakadanëve, në nderim të heronjve të kombit.

Në këtë aktivitet mori pjesë Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Behar Hyseni, i cili së bashku me zyrtarë të kësaj drejtorie dhe qytetarë, ndezën flakadanët që simbolizojnë sakrificën dhe qëndresën e heronjve të Kamenicës.

EkoHigjiena

Me këtë rast, drejtori Hyseni përkujtoi natën e 11–12 janarit të vitit 1984, kur heronjtë Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

“Nata mes 11–12 janarit na rikthen në kujtesë guximin dhe sakrificën e heronjve të Kamenicës, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe veprimtarin e patriotin e madh Kadri Zeka. Pikërisht në këtë natë, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe. Me ndezjen simbolike të flakadanëve, ne i nderojmë Rexhep Malën, Nuhi Berishën dhe Kadri Zekën, jo vetëm si heronj të Kamenicës, por si shtylla të një kombi që jeton sepse dikush zgjodhi të mos jetojë i përulur. Ata janë krenari e mbarë kombit shqiptar, dëshmi se sakrifica nuk shuhet, por shndërrohet në kujtesë, e kujtesa në udhërrëfyes,” u shpreh Drejtori Hyseni.

Aktiviteti i ndezjes së flakadanëve u zhvillua në një atmosferë përkujtimore, duke përcjellë mesazhin e respektit dhe mirënjohjes së përhershme ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.