Sabit RRUSTEMI
Po lexoj në Portalin 2Lonline dhe tek portali Rajonipress se, qenka mbajtur një mbledhje e Komitetit për Kulturë, Rini e Sport të KK të Gjilanit ku është biseduar dhe për Manifestimin e posanisur “Flaka e Janarit”. Më habit pasaktësia rreth këtij Manifestimi që shprehet te ndonjëri nga anëtarët e kësaj trupe komunale të Gjilanit, po, edhe mjegullnaja që shpërndahet nga personi që po cilësohet si “kreu i Task Forcës për kulturë, rini e sport të Gjilanit.
Kështu që, pa dashjen time, më duhet të bashkëngjitëm në këtë temë, më shumë për publikun se sa për këta persona të thirrur që ju mungojnë do gjëra elementare rreth “Flakës së Janarit” e, veçmas rreth ndryshimit të emblemës së këtij Manifestimi.
“Flaka e Janarit” nis rrugëtimin e saj me këtë emër nga 18 – 19 janari 1992 e këndej, e themeluar atë kohë nga Shoqata e Pavarur Kulturore e Gjilanit e, në bashkëorganizim të vazhdueshëm deri me përfundimin e luftës në Kosovë, me Forumin e Rinisë të LDK-së.
Manifestimi që synohej dhe u bë tradicional u koncipua në katër shtylla, sipas katër fushëveprimeve krijuese të Jusuf Gërvallës, artit pamor, artit letrar, skenik dhe atij muzikor. Nga viti 1993 e këndej, “Flaka e Janarit”, falë Forumit të Rinisë të LDK-së, shtrihet në krejt territorin e Kosovës. Madje, edhe jashtë saj …
Nga viti 1994 e deri sot, “Flaka e Janarit” bëhet me emblemën e saj, përmes një konkursi publik e një Jurie profesionale që bën përzgjedhjen e emblemës, autor i së cilës doli të jetë, Akan Ismajli, atë kohë student shembull dhe veprimtar kulture.
Emblema, e ideuar në formë kornize përmes dy shkronjave, F- lakës në ballë dhe J-anarit nën hije ku shënohen dhe katër shtyllat e Manifestimit : Teatër, letërsi – muzikë, arte figurative, përmes ngjyrave kuq e zi, u bë bartëse dhe gjakuese e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, vite me radhë… pastaj nga viti 2000 e këndej, po përmes kësaj embleme, inspiruese për ndërtimin dhe zhvillimin e saj, duke u bërë prijëse e këtij gjakimi për plot 22 vite ( e jo 15 vite sa ceket në këtë mbledhje).
Nga viti 1997, pjesa muzikore e Manifestimit “Flaka e Janarit”, koncipohet dhe titullohet FEST – FLAKA. “Flaka e Janarit” ruajti vazhdimësinë edhe gjatë luftës. Kurse nga çlirimi i Kosovës e këndej, përgjegjësia për organizimin e këtij Manifestimi u bart në institucionet komunale – përkatësisht në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, anise synimi ishte që ky Manifestim të marrë tretmanin e një manifestimi republikan me seli – Gjilanin. Por, kjo nuk u bë deri sot.
Nga viti 2008 e këndej, artet figurative emërtohen si PENELI I FLAKËS, artet skenike si TALIA E FLAKËS dhe arti letrar si PENA E FLAKËS që realisht përcaktojnë një fizionomi më profesionale të “Flakës së Janarit” .
Nën presionin e disa shoqërive kulturore dhe grupeve muzikore, Manifestimit “Flaka e Janarit”, iu shtuan edhe FOLK – FLAKA e XIXAT E FLAKËS, që nuk dilnin jashtë kornizave të shtyllave kryesore të Manifestimit por që realisht zbehën pjesën muzikore të saj.
Në vitin 2012, kur u shënua 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, Manifestimi “Flaka e Janarit”, realisht arriti kulmin dhe u cilësua me të drejtë si Manifestim Kombëtar i Kulturës. Por, në vitet që pasuan, nuk e arriti më asnjëherë atë nivel.
Deri këtë vit kur po shënohet 25 vjetori i këtij Manifestimi, askush, madje askush dhe asnjëherë nuk e vuri në dilemë dhe as që shfaqi kush interesim për ndryshimin e emblemës.
Kishte kërkesa për shtimin e cilësisë së shtyllave kryesore të Manifestimit dhe të organizimit, për rritjen e buxhetit në realizimin e këtij Manifestimi dhe mundësinë e përfaqësimit të vlerave kombëtare të kulturës që realizohen brenda një viti në të gjitha trevat shqiptare. Kërkesa për t’i nisur më herët përgatitjet etj, etj. Por, kërkesa për ndryshimin e emblemës nuk pati asnjëherë.
Duke qenë pjesë themeluese, madje dhe koncipuesi i këtyre katër shtyllave të Manifestimit, që nga fillimi e deri më sot e, duke e mbrojtur në vazhdimësi nga politizimet e mundshme dhe jo vlerat kulturore këtë manifestim, as që kam qenë në dijeni për ndryshimin e papritur dhe tërësisht të paarsyeshëm e të pa qëllueshëm të emblemës së këtij Manifestimi.
Theksoj me plot përgjegjësi se kjo ndodhi nga dy-tre veta dhe me bekimin e kryetarit të komunës, i cili fare nuk e ka vlerësuar se çfarë përdhosje po i bëhet këtij Manifestimi pikërisht në 25 vjetorin e themelimit. Realisht, ai shkeli në traditën e këtij Manifestimi, anise ishte njëri nga kontribuuesit e mëdhenj për mbajtjen dhe organizimin e këtij Manifestimi. Madje, me dhjetëra e dhjetëra mirënjohje e pllakate i nënshkroi po me këtë emblemë dhe, ia rritën namin gjithandej nga udhëtuan e ruhen dhe sot nëpër vitrinat e fituesve të “Flakës ë Janarit”, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetiu.
Edhe nëse do duhej të ndodhte ndryshimi i kësaj embleme, domosdo, muaj më parë do duhej hapur diskutimi, duhej dhënë arsyetimi e, tek pastaj të merrej vendimi dhe kjo të bëhej përmes një konkursi publik, përmes vlerësimit të një Jurie profesionale dhe, në fund, përmes aprovimit nga Kuvendi i Komunës.
Në të gjitha rastet, Bordi mbetet vetëm iniciuesi, propozuesi e jo vendim marrësi. Madje as kryetari i komunës. Ai mund ta nënshkruante vendimin për ndryshimin e emblemës dhe mund ta pranonte përzgjedhjen e një Jurie po, në asnjë mënyrë, përzgjedhësi i saj.
Kjo lloj “embleme” që realisht ka formën e një jashtëqitjeje të ngjyrosur e jo të një “flake” si po thuhet dhe që është shpërfaqur njëanshëm dhe arbitrarisht qendrës së qytetit. nuk i ka kaluar këto procedura.
A, e theksova, qysh në vitin 1994 ne patëm shpallur konkurs publik për konkurrim dhe, përmes një jurie profesionale bëmë përzgjedhjen e saj …
Po të përfilleshin këto procedura, askush, madje as unë nuk do të mund të ankohej. Mund të ishte i pakënaqur por, vendimin final nga organi më i lartë i komunës, do duhej ta respektonte. Po, a ishte momenti që kjo ndërhyrje e paskrupullt të ndodhte pikërisht në 25 vjetorin e këtij Manifestimi ? Jo dhe jo …
Prandaj, është në nderin e kryetarit që ta korrigjoj vetveten dhe mos ta shkelë më tej emblemën që identifikon “Flakën e Janarit”.
Është dhe në nderin e tij që në këso përvjetorë, të sillet si qytetar i parë i këtij qyteti dhe, të pyes para se të vendos po, edhe të respektoj pakëz fjalën, mendimin, mundin po edhe sakrificën e atyre që e themeluan dhe u bënë bashkudhëtarë të “Flakës…” anekënd trojeve shqiptare, bashkë me Gjilanin si nikoqir i këtij Manifestimi.
Nëse kjo nuk ndodh, Ai do të mbahet mend si Njeriu i parë në Kosovë, që e shuajti një Drejtori për Kulturë, Rini e Sport. Po, edhe që e përdhosi një emblemë, përmes së cilës edhe emri i tij u ngrit në majat e nderimit dhe përkushtimit të këtij Manifestimi për martirët dhe dëshmorët e kombit. /2L ONLINE/