/2L ONLINE/ – Sot po i shënojmë 25 vite të Flakës, një jubile që përkon me nismat e para të manifestimit mbarëkombëtarë “Flaka e Janarit”, manifestim ky që nderon sakrificën kombëtare që nga heronjtë e kohës së Skënderbeut e deri te historia më e re për liri, pavarësi dhe demokraci të vendit tonë.
Kështu është shprehur Valentina Bunjaku-Rexhepi, Kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit, sipas të cilës Manifestimi dhe madhështia e organizimit të tij për nga vlerat artistike mund të llogaritet si më i madhi në nivel nacional, ku për një muaj të tërë mblidhet e gjithë ajka e artit të kombit për të nderuar emrat e ndritshëm të historisë sonë.
“Si çdo vit që kemi pasur ngritje në organizim edhe në këtë përvjetor jubilar, manifestimi është pasuruar me fusha të tjera për çka meriton të respektohet puna e trupave që po merren me organizimin e këtij manifestimi që tani më ka karakterin e institucionit në vete dhe atë fale punës dhe vendosmërisë së Kryetarit Lutfi Haziri për të ngritur dhe përkrahur vlerat e mirëfillta si në art ashtu edhe në segmentet tjera të jetës institucionale”, thotë Kryesuesja e KK-së Valentina Bunjaku – Rexhepi.
Ajo shtoi se që nga fillimi i këtij manifestimi e deri në përfundim të tij, do të kemi rastin të shoqërohemi me vlerat më të larta të të gjitha fushave të artit, është muaj kur Gjilani merr flamurin e zhvillimeve më të rëndësishme në nivel kombi. Andaj kryesuesja e Kuvendit ka ftuar qytetarët që me prezencën e tyre të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve dhe bashkërisht vlerat dhe traditat e “Flakës se Janarit” të bartën ndër gjenerata. /2L ONLINE/