/2LONLINE / – Komiteti për Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Shpresa Kurteshi, ka miratuar raportin e manifestimit “Flaka e Janarit 2015”, duke rekomanduar që edicioni i ardhshëm të përfshihet në kalendarin e Ministrisë së Kulturës, meqë “Flaka e Janarit” është manifestim unik mbarëkombëtar, që mbahet në Gjilan, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, por tejkalon nivelin lokal.
Bujar Haziri, shef i Njësisë për Kulturë, ka thënë se edicioni i sivjetmë, i 24-ti me radhë, i është kushtuar 70-vjetorit të masakrës së Gjilanit, me homazhe që kanë filluar qysh në dhjetor.
Jo rastësisht manifestimi është hapur me një vizitë të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, në Kazermën e FSK-së, si simbolikë e realizimit të idealit për të pasur një ushtri, i të gjithë atyre që ranë në këtë rrugëtim shekullor për liri.
Haziri ka thënë se manifestimi nuk lidhet për data konkrete, sepse ato mund të lëvizin brenda muajit janar, varësisht prej aktiviteteve që përzgjidhen për t`u shënuar brenda një edicioni të caktuar.
Përndryshe, Haziri ka sqaruar se sivjet nuk u arrit që “Flaka…” të futet në kalendarin e MKRS-së, por ka thënë se për edicionin e ardhshëm, kërkesa do të bëhet qysh në shtator.
Synim yni mbetet organizimi i një Festivali të Dramës si dhe një programi muzikor të zhanrit xhaz, në maj, që nuk do të kishin karakter garues, siç ka “Talia” në manifestimin e “Flakës…”.
Sa i përket kostos financiare, Haziri tha se manifestimi i sivjetmë i ka kushtuar Komunës së Gjilanit 30.199 euro, shumë kjo që është e arsyeshme në krahasim me dimensionin kohor dhe programor që ka manifestimi.
Arzie Nuhiu (PDK) kërkoi që përgatitjet për manifestimin vijues të fillojnë sa më herët, meqë “Flaka…” është aktivitet që tejkalon nivelin lokal. Sa u përket datave të caktuara, të cilat mund të jenë të ndryshueshme nga viti në vit, varësisht prej ngjarjeve historike, ajo ka thënë se kjo duhet të nënvizohet në projektin e manifestimit, që të mos krijohen keqkuptime.
Shpresa Hajdari (LDK) tha se lëvizja e datave të aktiviteteve, brenda muajit, nuk është e rëndësishme, sepse kryesorja është që manifestimi mbahet në janar dhe kjo nuk ndryshon. Ajo ka kërkuar që raporti t`i përmbajë herave tjera edhe emrat e të shpërblyerve në manifestimin “Flaka e Janarit”.
Kurse Shpresa Kurteshi, kryesuese e Komitetit, tha se organizatori i është përmbajtur rekomandimit të kësaj trupe komunale, për ulje të shpenzimeve dhe u shpreh e kënaqur që kjo është bërë pa dëmtuar pjesën programore dhe vlerat e manifestimit “Flaka e Janarit”, që për Gjilanin është bërë një identitet kulturor prej 25 vitesh e këndej./2L ONLINE/