Fjala e rektorit Bajram Kosumi në pesë vjetorin e themelimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”

Fjala e rektorit Bajram Kosumi në pesë vjetorin e themelimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”

Sivjet 300 studentë tanë kanë marrë diplomat e para të Universitetit Publik Kadri Zeka Gjilan. Diplomat e para të një universiteti janë si trari kryesor i shtëpisë: mbasi ia ke vënë kulmin, shtëpia është finalizuar. Edhe për UKZ ky fakt është një kthesë historike. Në fund të vitit të kaluar ne organizuam ceremoninë madhështore të diplomimit, ndërsa sivjet studentët morën diplomat e merituara. Kjo na bën të lumtur.

Është a natyrshme që në një përvjetor si ky të numërohen të arriturate një viti. Nuk do ta bëj këtë detajisht, por do të fokusohem vetëm në tri zhvillime, të cilat dëshmojnë se kah po ecën UKZ.

kadrizeka e sponzorizuar

UKZ dhe bashkësia:

UKZ ka ndërmarrë një sërë veprimesh të cilat e ndërlidhin mësimin e hulumtimin akademik me bashkësinë. Universiteti nuk është oazë e një shoqërie, por një mekanizëm i cili absorbon brenda vetes shoqërinë dhe e ndihmon atë: e ndihmon përparimin e kulturës, ekonomisë, administratës, qeverisjes, demokracisë dhe të mirëqenies së përgjithshme. Ne ende nuk e kemi infrastrukturën e plotë për ta realizuar këtë synim tonin plotësisht, por në këtë fazë po e përgatisim rrugën e duhur.

Kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe kemi realizuar disa projekte me shumicën e strukturave të shoqërisë, me komunat, me bizneset, me shoqërinë civile dhe me hisedarë të tjerë. Krahas studimit akademik, profesorët dhe studentët tanë do të jenë partnerë të komunave, të bizneseve dhe të familjeve për zhvillim të gjithmbarshëm.

Unë pata rastin e shkëlqyeshëm, të hënën e kaluar, më 5 mars, të takoj poetë e shkrimtarë të Anamoravës të cilët kishin organizuar, bashkë me Fakultetin tanë të Edukimit një orë letrare me studentët. Të kënaqur ishin shkrimtarët, por më të kënaqur ishin studentët tanë të cilët i lexuan poezitë dhe esetë e tyre bashkë me poetët e shkrimtarët e mëdhenj.

Ne po synojmë ta ndjejmë ndikimin pozitiv të bashkësisë në UKZ dhe të UKZ në bashkësi.

UKZ dhe tregu:

Për të gjitha programet studimore të cilat janë hartuar në vitin 2017 dhe do të hartohen në të ardhmen ekspertët e universitetit kanë bërë studime të fizibilitetit të tregut.

Çka kërkon tregu?-është pyetja kryesore dhe, veçanërisht, çka kërkon tregu i punës?-është pyetja e dytë në të cilën duhet ta kenë një përgjigje profesorët tanë para se ta hartojnë një program studimi.

Pardje Fakulteti Ekonomik organizoi një panair të bizneseve në hapësirat e UKZ, në të cilin studentët dhe bizneset diskutuan për interesat e tregut dhe të mësimit akademik. Ky është një fillim i mbarë, sa do është vetëm një fillim. Sot, në këtë takim, janë pronarët apo përfaqësuesit e rreth 15 bizneseve më të mëdha në Anamoravë. Universiteti ynë është si një fidanishte për ta dhe për biznese të tjera. Ne do të punojmë edhe në të ardhmen që bizneset ta ndjejnë universitetin si shkallë të parë të suksesit të tyre.

Bizneset duhet të kthejnë sytë më shumë kah UKZ dhe të interesohen se cfarë ekspertë po diplomojmë ne këtu: ata ekspertë në të ardhmen do të punojnë dhe drejtojnë bizneset e tyre.

UKZ dhe zhvillimet universitare në botë:

Bashkëpunimi ndërkombëtar, sidomos projektet e ndryshme hulumtuese multi-universitare është rruga më e sigurt për të qenë të gatshëm për konkurrencën ndërkombëtare në treg. Gjatë këtyre pak viteve të jetës së UKZ ne jemi pjesë e katër projekteve të Erazmus+.

Vjet kemi bërë një kthesë të rëndësishme. Vetëm gjatë vitit 2017/18 ne kemi aplikuar si partner në 16 projekte të Erazmu+. Ajo që është e rëndësishme, UKZ ka fituar një projekt të HERAS dhe jemi në proces të pritjes së rezultatit për një projekt në Erazmus+, të koordinuar prej UKZ.

Një universitet sot e arsyeton vetveten vetëm nëse është i aftë të konkurojë në tregun europian dhe atë botëroror të shkencës e të hulumtimit.

Një program të masterit, Qeverisja lokale dhe shoqëria demokratike, e kemi realizuar në bashkëpronësi me dy universitete: atë të Prizrenit dhe të Pejës.

Po punojmë që në këtë drejtim të hapemi edhe më shumë dhe të krijojmë programe të përbashkëta edhe me universitete të huaja. Kemi bërë marrëveshje bashkëpunimi me shumë universitete shqiptare, rajonale dhe botërore. Jemi bashkëthemelues i Konferencës Ballkanike të Universiteteve. Jemi anëtarësuar edhe në disa rrjete akademike europiane.

Me këto veprime UKZ po synon ta ndërlidhe studimin, hulumtimin, përvojën dhe të arriturat e studentëve e të profesorëve tanë me universitetet europiane dhe botërore.

Më shumë se projekt politik, integrimi i Kosovës në Bashkimin Europian është projekt demokratik, projekt ligjor, projekt ekonomik dhe projekt administrativ. UKZ po e jep kontributin e vet në këtë drejtim, në ndërtimin e potencialit njerëzor, i aftë për ta absorbuar integrimin e Kosovës në BE.

Mbas këtyre tre paragrafëve për rrjedhat kryesore në UKZ, do t’u kthehem edhe një herë 300 studentëve tanë të diplomuar.

Diploma e secilit prej tyre bartë në vete mundin e madh të studentit, të profesorëve të tij, të familjes së tij, po dhe të qeverisë së Kosovës e të mbarë shoqërisë. Ajo diplomë ka kërkuar tre ose katër vjet investim të rëndësishëm të shumë subjekteve.

Ajo diplomë në asnjë rast dhe asnjë herë, nuk është vetëm “një copë letër”. Ajo diplomë është treguesi i suksesit të studentit tanë, të profesorit tanë, të shoqërisë sonë dhe të shtetit tonë.

Është fare lehtë të thuash “një copë letër” por është shumë vështirë ta arrish e ta vulosësh atë “copë letër”.

Njësoj, si është lehtë ta rrënosh Urën e Shenjtë, po shumë vështirë ta ndërtosh. Njësoj si është lehtë ta rrënosh cilindo sistem, por është vështirë ta ndërtosh.

Prandaj, ajo diplomë na bën shumë krenarë.

Të dashur studentë dhe profesorë,
Puna e juaj më fisnikëron edhe mua.

Jam i sigurt që secili prej neve që sot jemi këtu, nga kryeministri e deri te cilido familjar, presin me padurim rezultatet tuaja. Unë kam parë së afërmi disa herë prezantimet e studentëve dhe të profesorëve të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike e të Fakultetit Juridik. Jam i sigurt që po bëjmë më të mundshmen.

Por, nuk duhet të kënaqemi me të mundshme. Errësira, prapambejta, analfabetizmi shumë shekullorë, sistemi memorial i mësimit në shkollat e Kosovës e të meta të tjera, mund të tejkalohen vetëm me një punë të menduar mirë, të qëndrueshme dhe sistematike.

Të dashur miq,

Sa do i suksesshëm, arsimi në Kosovë ende nuk është në krah me zhvillimin e arsimit në Europë. Por, duhet kuptuar të gjithë se as në arsim nuk mund të ketë revolucione po evolucione.

Ky është një tregues se qeveria e Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, universitet publike dhe institucionet e arsimit të lartë privat, institucionet e tjera arsimore duhet të punojnë me durim në ngritjen e cilësisë së arsimit.

Ju ftoj të gjithëve, studentë, profesorë, institucione të arsimit, burrështetas, udhëheqës fetarë dhe drejtues institucionesh që të japim prej vetes maksimumin në hapat e mëtejmë zhvillimit të arsimit, të ekonomisë, të kulturës, të administratës…dhe të gjithave fushave të tjera të jetës në Kosovën tonë të dashur.

Të dashur miq,
Urime 5 vjetori i Universitetit Kadri Zeka dhe
u festoftë edhe 500 vjetori i këtij universiteti!

KOMENTE