Fjala e plotë në emër të komunitetit të gazetarëve gjilanas, në Mbledhjen Përkujtuese për gazetaren Elif Sherifi
/Fjala e plotë në emër të komunitetit të gazetarëve gjilanas, në Mbledhjen Përkujtuese, organizuar në nderim të jetës dhe kontributit të Elif Sherifit, në fushë ne gazetarisë e më gjerë, e cila ndërroi jetë dhe sot iu dha lamtumira e fundit/
***
E nderuara Familje Sherifi,
Të nderuar familjarë dhe miq,
të nderuar gazetarë, kolegë e të ndjerës,
të nderuar të pranishëm,
Jemi mbledhur së bashku në këtë mbledhje përkujtimore, me dhimbje të thellë që kemi, për të nderuar jetën dhe veprën e koleges sonë, Elif Sherifi, një emër që, ndonëse u shua herët, la gjurmë të pashlyeshme në profesionin e saj – gazetarinë, të cilin e ushtronte me pasion të madh.
Përtej profesionit që e deshi aq shumë, Elifi gëzonte respekt të madh. Me sjelljen e saj të ngrohtë, miqësore dhe me shembullin që jepte çdo ditë, ajo krijonte një ambient harmonie dhe miqësie mes kolegëve, miqve dhe mbarë komunitetit lokal e më gjerë, me të cilët bashkëpunonte.
Ikja e saj në një moshë kaq të re është një humbje e rëndë, jo vetëm për familjen Sherifi, por për gjithë ne, komunitetin e gazetarëve gjilanas, për kolegët e tjerë, miqtë dhe për publikun e gjerë, që ajo i shërbeu me përkushtim e ndershmëri, e më të cilin kishte ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer profesionale.
Elifi ishte më shumë se një gazetare. Ajo ishte një penë e mprehtë e këtij zanati, një profesioniste e përkushtuar dhe një zë i sinqertë i së vërtetës. Gjatë rrugëtimit të saj në këtë fushë, ajo punoi në televizione, radio dhe portale informative, duke u sprovuar vetën në zhanre të ndryshme të gazetarisë dhe kudo që punoi, la pas vetes profesionalizëm, korrektësi dhe një përkushtim të rrallë ndaj informimit të drejtë të publikut.
Me një dashuri të veçantë për gazetarinë, ajo i dha shpirt punës së saj, veçanërisht në raportimin për sportin, shëndetësinë, kulturën por edhe në segmente tjera. Megjithatë, u dallua në fushën e sportit, ku pasioni i saj shfaqej më fuqishëm.
Por, Elifja nuk u ndal vetëm në gazetari. Për më shumë se gjashtë vite, ajo shërbeu si zëdhënëse e klubit FC Drita, duke dhënë një kontribut të çmuar në komunikimin dhe imazhin e klubit. Me profesionalizmin e saj, ajo fitoi respektin e komunitetit sportiv dhe të gjithë atyre që bashkëpunuan me të.
Përtej profesionit, ajo do të kujtohet si një kolege e dashur, një njeri me zemër të madhe, me buzëqeshje të sinqertë, energji pozitive dhe plotë mirësi brenda vetës.
Sot, fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen që ndiejmë. Por një gjë është e sigurt: kujtimi për Elif Sherifin do të jetojë gjatë, në punën e saj, në shembullin që la pas dhe në respektin që fitoi me dinjitet dhe sinqeritet.
Në emër të komunitetit të gazetarëve, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Sherifi, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën. Kjo pjesëmarrje e madhe sot është dëshmia më e qartë e respektit dhe dashurisë që ajo ka lënë pas.
Ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që të gjeni forcë në këto momente të vështira.
Elife, do të na mungosh shumë.
Zoti të mëshiroftë!
U prehtë në paqe shpirti yt i bardhë!
/Muhamet Halili, në emër të gazetarëve gjilanas/
