DYLON

Fjala e kryetarit Konjufca, në seancën e sotme solemne për nder të Epopesë së UÇK-së

Fjala e kryetarit Konjufca, në seancën e sotme solemne për nder të Epopesë së UÇK-së
Avatar photo Redaksia

Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne, me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Fjala e kryetarit Glauk Konjufca, në seancën e sotme solemne për nder të Epopesë së UÇK-së

EkoHigjiena

Shumë i dashuri Baci Rifat,

Të nderuar anëtarë të familjes Jashari,

Faleminderit që po na nderoni në Kuvend me praninë tuaj!

E nderuara Presidente, Vjosa Osmani Sadriu,

Kryeministër Kurti,

Të nderuar deputetë,

Zëvendëskryeministra,

Ministra të Kabinetit Qeveritar,

Të dashur Ambasadorë,

Faleminderit që jeni të pranishëm këtu!

I nderuar President Sejdiu,

Të dashur të pranishëm,

Përfaqësues të institucioneve tona të rëndësishme shtetërore,

Për kombet në botë më e rëndësishmja është liria.

Por vjen një pikë kur liria bëhet e barabartë me ekzistencën.

Pikëprerja e lirisë me ekzistencën është dinjiteti.

Ekzistenca pa liri është jetë pa dinjitet.

Jeta bëhet jonjerëzore, jetë e pajetueshme.

Sakrifica madhështore e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe të krenarisë.

Jasharët në krye me Ademin e Hamzën, me Bacin Shaban e të gjithë familjarët, gra e burra, pleq e fëmijë, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri.

Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës – Liri a Vdekje!

Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip rënia bëhet liri e liria bëhet domosdoshmëri.

Liria është si ajri, por ajo nuk rri pezull.

Ajo ngrihet mbi themele të forta.

Kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë.

Siç thoshte Hamza – ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë: guri peshon në tokën e vet.

Themelet e lirisë sonë rrinë të patundura mbi gjakun e dëshmorëve.

Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve.

Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurse Ushtria e Kosovës, e njësuar me popullin, e çliroi atdheun tonë nga Serbia.

Pavarësia e shtetit tonë është rezultat i këtij procesi.

Nuk e di kurrë se a janë fjalët të afta ta thonë krejt ngjarjen.

Nuk e dimë kurrë se a mund ta kuptojmë plotësisht përmasën e kësaj sakrifice.

Druaj nëse vërtet mund t’i dalim hakut ne të gjallët heroizmit të tyre.

Por një gjë të thjeshtë me siguri e di sa është i sigurt edhe gjaku i tyre – se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë ne Prekaz, e do të frymëzohet, aty ku u ngjiz liria.

Lavdi Jasharëve!

Zoti e bekoftë kombin tonë të pamposhtur!

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.