Fitorja modeste e VV-së dhe negociatat e saja dhe të LDK-së, për mos/formimin e qeverisë!

Fitorja modeste e VV-së dhe negociatat e saja dhe të LDK-së, për mos/formimin e qeverisë!

Në zgjedhjet e fundit që i lamë pas e që kurrsesi nuk po përkthehen në qeverisje, e para doli Lëvizja Vetëvendosje.

Shkruan: Arsim Kastrati

Ajo mori më pak vota se sa kishte marr në zgjedhjet paraprake, por aq i u deshën që të del e para, sepse populli i kishte vendosur në shënjestrën e ndëshkimit: PDK-në, AAK-në dhe LDK-në minus Vjosa Osmani & company.

VV-ja u përça kohë përpara mbajtjes së zgjedhjeve ndërsa LDK hyri dhe doli nga to me mospajtime të theksuara të gardës së vjetër dhe Vjosa Osmanit me disa shokë, mospajtime të cilat përveç që do të kenë ndikuar në rezultatin e saj zgjedhor, po ndikojnë dukshëm edhe në performancën e saj jo fort të mirë në ditët pas zgjedhore.

Në bazë të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e fundit në Republikën e Kosovës nëse do të shpreheshim me zhargonin e sportit do të mund të thuhej që nuk ka fituar VV-ja, por kanë humbur partitë të cilat kanë qeverisur deri dje e po vazhdojnë të qeverisin edhe sot, përjashto këtu Vjosa Osmanin dhe disa akter politik të rinj të LDK-së, të cilët populli i votoi mirë, duke i veçuar nga garda e politikanëve me përvojë të gjatë në qeverisje.

Kur thuhet që VV dhe garda e politikanëve të rinj të LDK-së nuk janë provuar ende në qeverisjen republikane atëherë kjo qëndron, është e vërtetë, por shumica nga këta njerëz janë po aq gjatë sa të tjerët në skenën politike kosovare, dhe një shikim i pa anshëm politik mbase nuk do ti nxirrte këta më të dobishëm se sa të tjerët që kanë vendosur për punët e Kosovës që nga paslufta e këtej.

Kjo rezulton kur merret parasysh i tërë aktiviteti politik i VV-së dhe i LDK-së, që nga fillimet e tyre e deri më sot.

VV do ti fitonte zgjedhjet në Republikën e Kosovës moti kohë përpara zgjedhjeve të fundit po ta bënte lojën politike pak më urt e më mirë, ndërsa LDK-ja ka pak hapësirë që ti kritikojë të tjerët sepse tërë kohën ka qeverisur bashkë me ta.

Në fund të fundit asnjë subjekt politik në Republikën e Kosovës nuk mund të pretendoj se të gjithë të tjerët janë djaj, ndërsa vetë janë engjëjt shpëtimtarë të këtij nënqielli.

Partitë politike kosovare janë të detyruara që të bashkëveprojnë në mes veti për shkak se nuk e bëjnë dot qeverisjen vet, dhe për hir të Kosovës, mbase atdheut të tyre të përbashkët.

Për të ecur përpara më duket që Vjosa duhet të merret vesh me partinë e saj, ndërsa VV-ja të tregojë se çka po dëshiron në të vërtetë.

Në fakt qysh në fillim janë shfaqur shenja hezitimi tek të dyja partitë, edhe te VV-ja edhe te LDK- ja, rreth qeshjes së formimit të institucioneve pas zgjedhore, sikur të ishin të tjerë njerëz para fushate e të tjerë pas saj.

Mënyra se si njëra parti barrikadohet te kërkesa për një post i cili nuk është vakant, nuk është në rend dite dhe nuk varet nga partneri në negociata dhe se si tjetra e luan lojën e saj duke i bërë publike detajet e negociatave ende pa përfunduar ato dhe duke e vendosur palën tjetër gjithnjë para akteve të kryera, pra duke e sfiduar pandërprerë, nuk është shpresëdhënëse, nuk paraqet një mënyrë pozitive të negociatave politike dhe në instancën e fundit ndoshta edhe bëhet jo për formimin e qeverisë, por për zhagitje apo edhe për dështimin e këtij procesi në tërësi.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE