(2L ONLINE) – Futbollistëve të Gjilanit iu është dashur ta rikthejnë sërish rezultatin deri sa janë gjendur në disavantazh qysh në fillimin e ndeshjes. Një tjetër fitore me kthesa deri sa Vllaznim Jashari dhe Ilir Blakçorri bëhen protagonistë të fitores së radhës, që i mbanë gjilanasit në kreun e tabelës.
Gjilani ka hasur në vështirësi deri sa e ka mposhtur Dukagjinin para publikut vendas me shifrat 2-1. Edhe njëherë tjetër futbollistët e Musa Selimit ia dalin ta rikthejnë rezultatin pas golit të hershëm të pranuar. Këto lëshime të repartit defansiv i sheh me mjaft seriozitet tekniku i kësaj skuadre që e rithekson si problem të skuadrës së tij.
‘’Është çudi që e njëjta gjë po na përsëritet qe dy ndeshje. Lojtarët e repartit defansiv siç duket nuk po e marrin me seriozitet kundërshtarin dhe po mendojnë se mund ta përballojnë atë me gjysmë forcë. Mirëpo kjo po na shkakton telashe edhe pse skuadra nuk po e ka problem rikthimin dhe po dëshmon një karakter mjaft të fortë’’, u shpreh fillimisht Selimit.
Në pyetjen e Portalit 2L ONLINE, lidhur me pranimin e golave në fillimin e ndeshjes si dhe ndëshkimin nga ndërprerjet Selimi u përgjigj: ‘’Shumë e vërtetë është që po pranojmë gola nga ndërprerjet. Kemi biseduar vazhdimisht me futbollistët si dhe gjatë pjesës së parë ua tërhoqa vërejtjen që të kenë kujdes në ndërprerje. Jemi duke punuar në këtë aspekt që ti eleminojmë këto gabime dhe të shfaqim lojën tonë, pasi ajo ende nuk ka ardhur në shprehje’’, përfundoi trajneri gjilanas.
Ndëshkohen në fillim, rikthehen në fund
Sikur edhe në ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj 2 Korrikut, gjilanasit ndëshkohen herët edhe ndaj Dukagjinit. Një neglizhencë në mbrojtjen gjilanase ua ka kushtuar atyre me gol deri sa Altin Merlaku shkëputet më së miri në zonë duke përfituar nga një harkim i Isufit për ta dërguar topin me kokë drejt rrjetës për 0-1.
Menjëherë gjilanasit orvaten për ta gjetur sa më shpejtë golin e barazimit. Mirëpo para se të arrijnë atë duhet të vuajnë pasi shpërdorojnë disa mundësi të mira shënimi. Fillimisht, Vllaznim Jashari nga afërsia gjuan drejt në portierin Haxhiaj, deri sa Visaj Sermaxhaj me gjysmë volej gjuan topin mbi lartë mbi portë.
Gjilani nuk dorëzohet pranë disavantazhit dhe gjen forcë që në minutat e fundit të pjesës së parë ta përmbysë atë dhe ta kurorëzojë dominimin në terren. Një pasim të Eminit brenda zonës e ka shfrytëzuar në maksimum Jashari që shënon para Haxhiajt për ta barazuar rezultatin, 1-1.
Blakçorri e sjell fitoren
Fraksioni i dytë i ndeshjes ishte edhe më interesant se ai i pari përkundër që pamë vetëm një gol të realizuar. Edhe pse me pak raste mirëpo me shumë grintë brenda fushës së lojës, dy skuadrat treguan një futboll mjaft të niveluar. Mundësinë e parë që vendasit ta gjejnë golin e pari i posa inkuadruari në lojë, Lirian Ferati që dështon në dy tentimet para portës së Haxhiajt.
Atë që nuk e bëri Ferati e bën Blakçorri. Sulmuesi i ardhur nga Llapi përfiton nga një gabim i mbrojtjes udhëtuese dhe me gjakftohtësi dërgon topin në rrjetë për të sjellur gëzim të madh tek tifozët vendas, (2:1). Kohë ka ende deri në fundin e ndeshjes mirpo asgjë nuk ndryshon dhe kështu Gjilani merr fitoren e katërt këtë edicion deri sa e ndanë pozitën e parë me Llapin dhe Lirinë që kanë grumbulluar nga 13 pikë.
Për humbjen e katërt këtë edicion trajneri i Dukagjinit ia lë fajin gjyqtarëve të ndeshjes.
‘’Po mund të them me plot gojë që gjyqtarët e ndeshje e vendosën këtë takim. Ata nuk na lanë neve të luajm lojën tonë duke ndikuar direkt në rezultat’’, përfundoi Idriz Elezaj.
Gjilani – Dukagjini 2:1
Stadiumi i Qytetit në Gjilan
Shikues: 300
Gjyqtarë: Visar Kastrati, Hysen Rrahmani, Ernest Kume
KV: Ferati – Berisha Haliti
Shënues: Jashari 45’, Blakçorri 81’ – Merlaku 6’
Gjilani: Ajdini, Hyseni, Kastrati, Emini (Ferati), Beqiri, Mustafa (Kosumi), Shaqiri, Morina, Sermaxhaj (Maliqi), Jashari, Blakçorri. Trajner: Musa Selimi
Dukagjini: Haxhiaj, Zallaj, Kabashi, Merlaku, Elezaj (Palushaj), Jusufi, Krasniqi, Berisha, Dakaj (Gashi), Bucaliu, Haliti. Trajner: Idriz Elezaj