(2L ONLINE) – Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i ka dhënë të drejtë operatorit ekonomik N.T.SH “Fauna”nga Gjilani, lidhur me tenderin e anuluar nga Komuna e Gjilanit, që kishte të bënte me shërbimin e Dezinfektimit, Dezinsektimit, dhe Deratizimit (DDD). Për më tepër, për shkak që komuna nuk i ka përfillur rekomandimet e OSHP-së, e i ka bishtnuar këtij vendimi, tani ky organ ka nxjerrë edhe një urdhëresë për çka është urdhëruar komuna që të zbatojë vendimin e Panelit Shqyrtues të OSHP-së, në të kundërtën është paralajmëruar edhe për mundësinë e gjobitjes së komunës me 5 mijë euro dhe ndaj zyrtarit të prokurimit, të detyrohet të marr vendim për marrje të certifikatës të prokurimit, për bishtnim ikje të përmbarimit të vendimit të OSHP-së.
Kështu kanë thënë për 2L ONLINE, drejtues të këtij operatori ekonomik. Në fakt, pas anulimit të tenderit nga ana e komunës dhe pas ankesës së “Fauna” në OSHP, ku është shqyrtuar rasti, nën drejtimin e Hysni Hoxha, kryetar, Ekrem Salihu, referues dhe Vjollca Kurtishaj anëtare, është marr vendim nga ky organ se aprovohet ankesa e Operatorit Ekonomik “Fauna”, lidhur me aktivitetin e DDD-së, si e bazuar, pastaj është anuluar vendimi i autoritetit kontraktues Komunës së Gjilanit për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit “DDD” dhe lënda është kthyer në rivlerësim. Po ashtu, është kërkuar nga autoriteti kontraktues që në afat 10 ditësh të informojë me shkrim Panelin Shqyrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.
Dr. Bashkim Kurti, menaxher i Departamentit të DDD pranë N.T.SH “Fauna”, ka thënë për 2L ONLINE se në bazë të këtij vendimi iu është bërë e qartë komunës së Gjilanit si autoritet kontraktues se mosrespektimi i këtij vendimi të OSHP-së e detyron panelin shqyrtues të marr masa, konformë dispozitave ligjore. Dhe, kjo edhe ndodhi tani pas OSHP-së i dashtë të nxjerrë edhe urdhëresë me të cilën urdhërohet Komuna e Gjilanit që ta zbatojë vendimin e Panelit Shqyrtues të OSHP-së.
Përndryshe, në urdhëresën e Panelit Shqyrtues kërkohet nga Komuna e Gjilanit që të zbatojë vendimin e OSHP-së të datës përkatëse, lidhur me aktivitetin e prokurimit të DDD-së dhe se urdhërohet Komuna ta bëjë rivlerësimin e këtij aktiviteti për faktin se gjatë procesit të vlerësimit nuk janë respektuar nenet përkatëse.
Në urdhëresë thuhet se OSHP konstaton se Komuna e Gjilanit si autoritet kontraktues nuk e ka respektuar vendimin e Panelit Shqyrtues ( me numër dhe datë përkatëse) dhe kjo dëshmohet me faktin se komuna ka marrë vendim sërish me 28 gusht që të anulojë aktivitetin e prokurimit të DDD-së, me arsyetimin se të gjitha ofertat e përgjegjshme përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e komunës. Në urdhëresën në fjalë rikujtohet se në vendimin e 11 gushtit Paneli Shqyrtues kishte aprovuar ankesën e operatorit ekonomik “Fauna” si të bazuar duke rikthyer lëndën në rivlerësim.
‘Pretendimet e autoritetit kontraktues për anulim aktiviteti në mungesë të buxhetit janë të paqëndrueshme për faktin se autoriteti kontraktues ndan fonde 50 .ooo,oo euro për 36 muaj dhe i parasheh në mënyrë të detajuar fondet e ndara për DDD…”, thuhet tutje në këtë urdhëresë.
Po ashtu, thuhet se janë të paqëndrueshme dhe nuk janë në harmoni me dispozitat e nenit përkatës edhe arsyet e dhëna nga autoriteti kontraktues për anulimin e aktivitetit të prokurimit të DDD-së, duke marrë për bazë çmimet e viteve paraprake.
Komunës po ashtu i bëhet e qartë se vendim i panelit Shqyrtues të OSHP-së është vendim përfundimtar dhe i formës së prerë për aktiviteti ne prokurimit të DDD-së, andaj autoriteti kontraktues (komuna) është i obliguar që gjatë procesit të rivlerësimit të ofertave të respektojë në tërësi të gjitha rekomandimet të dhëna nga Paneli Shqyrtues.
Përndryshe, për mosrespektim të vendimit në fjalë Paneli shqyrtues mund të jetë i detyruar që, konformë dispozitave ligjore, ndaj komunës të vendos gjobë në vlerë prej 5 mijë eurosh, kurse ndaj zyrtarit të prokurimit do të jetë e obliguar, konformë ligjit, të marrë vendim për marrje ne certifikatës së prokurimit, për bishtnim ikje të përbarimit të vendimit të OSHP-së
Mësohet se komuna i ka afat pesë ditë për këtë.
Si erdhi deri tek jo?
Në fakt, krejt kjo lojë e keqe, sipas përfaqësuesve të “Faunës”, nisi kur tenderi për këtë shërbim është anuluar nga kreu i komunës, ndonëse Kompania e kishte fituar atë duke i ndjekur procedurat e parapara dhe siç e parasheh ligji.
Dr. Bashkim Kurti, menaxher i Departamentit të DDD pranë N.T.SH “Fauna”, thotë se deri tek ky anulim, erdhi pas një loje politike të pasinqertë mes pozitës e opozitës, që u kapën edhe rreth këtij tenderi, ku opozita atakonte pozitën se ka dhënë këtë tenderë me një çmim të lartë, e pozita, si duket duke dashtë të tregohet se është e vëmendshme për të mos bërë shkelje, i bindet në njëfarë mënyre opozitës dhe ndërmerr veprim për anulim të tenderit, edhe pse me këtë është bërë shkelje ligjore.
Kurti edhe njëherë ka ripërsëritur se çmimi i ofertuar me të cilën ishte fituar tenderi, e për të cilën janë “kapur” politikanët, se qenka çmim enormë, në fakt është çmim tregu, dhe krahasuar me komuna tjera, ku kryhet ky shërbim, bile është edhe më i ulët.
Kurti tha se e tëra filloi pas “zbulimit” te asamblistit te PDK, në KK te Gjilanit, Riad Rashiti, se procedurat e tenderimit për shërbime të DDD-së, qenkan gjoja të manipuluara dhe se çmimi I ofertuar kinse qenka enormë i lartë dhe se e keqja tjetër është që Kryetari i Komunës Lutfi Haziri, e falënderon asambleistin opozitar për “zbulimin” dhe pa bërë as edhe të vetmen analizë apo konsultë, i dëshmon të njëjtit dhe krejt opinionit gjilanas një të vërtetë të panevojshme në këtë rast, që ai dhe administrata e tij nuk janë të përfshirë në asnjë dallavere apo aferë të mundshme korruptive dhe me këtë rast duke shkelur ligjin, urdhëron anulimin e procesit të prokurimit.
“Çmimi është i lirë apo i shtrenjtë e përcakton tregu, jo në raport me të kaluarën, sepse në të kaluarën kanë qenë rrethana të tjera. Shembull ne kemi punuar shumë edhe për referenca të cilat janë të domosdoshme, për aktivitete të caktuara biznesi”, ka thënë Kurti.
Pra, sipas Kurtit çmimi i ofertuar në këtë rast, jo që nuk ka qenë enormë i lartë, por përkundrazi ka qenë më i lirë në Kosovë, krahasuar me territorin dhe numrin e banoreve dhe si shembull ai mori Prishtinën, ku kjo punë kryhet me 317 326.62 €, pastaj në Ferizaj – 58 600 €, Podujevë – 39 994.48 € dhe në Gjilan me 53 450.00 Euro. (160350.00 € për tri vite).
Kjo, pastaj thotë Kurti e ka detyruar Kompaninë, e cila është dëmtuar, të ndjekë procedurat e animimit të bindur se e drejta është në anën e tyre dhe se këtë të drejtë do ta realizojnë pa më të voglin dyshim dhe ja tani ku i kemi zhvillimet e reja siç është vendimi dhe urdhëresa e OSHP-së, sepse “Fauna” edhe me argumente bindëse po e dëshmon të drejtën e saj.
Nga ana tjetër, zyrtarë të komunës kanë konfirmuar për 2L ONLINE, pranimin edhe të vendimit por edhe të urdhëresës në fjalë. Por, Nazmi Halili, që javë më parë ushtronte postin e ushtruesit të detyrës së menaxherit të Zyrës së Prokurimit, dhe ishte përfaqësues i Komunës së Gjilani në shqyrtimit kryesor të OSHP-së, nga 19 gushti është kthyer në pozitën e tij që e ushtron me vite të tëra, atë të menaxherit të Tatimit në Pronë dhe në këtë drejtim përveç që konfirmoi praninë e vendimit dhe të urdhëresës, tha se nuk mund të prononcohet për këtë pasi i takon Zyrës së prokurimit ta bëjë këtë. E, aktualisht Salih Kqiku, ushtrues detyre i menaxherit të Zyrës së prokurimit, mësohet se pikërisht për këtë çështje ndodhet në Prishtinë.
Përndryshe, nëse nuk ndërmerret shpejtë diçka, Gjilan ka mbetur këtë vit pa këtë shërbim të DDD-së, duke përfshirë edhe atë shërbim që duhej të bëhet në shkolla, ani se sot nisi viti i ri shkollor. Po ashtu bezdisja e qytetarëve nga mushkonjat dhe insektet tjera është akoma prezentë.
Në “Fauna” shpresojnë se në komunë do të veprojnë arsyeshëm dhe Kompania është e gatshme të nis këtë proces, ndonëse, me vonesë, por jo me fajin e saj. /2L ONLINE/