Tashmë për vite të tëra Disney ka dominuar në arkat kinematografike, por këtë vit ia kaloi madje edhe vetes. Ndër dhjetë filmat më të mirë në vitin 2019, janë madje 8 sish me produksion ose bashkëproduksion të Disneyt.
Në vendin e parë për nga të ardhurat këtë vit është filmi i fundit në sagën e Marvel për Avengers, Avengers: Endgame.
Me të ardhurat prej 2.8 miliardë dollarë, Avengers ia arriti ta tejkalojë edhe Avatarin, i cili deri më tani e kishte mbajtur vendin e parë për filmin më fitimprurës ndonjëherë.
Në vendin e dytë për ardhura është Lion King, i cili e tejkaloi paraardhësin e tij të animuar duke i inkasuar 1.6 miliardë dollarë, 700 milionë më shumë se versioni i animuar i vitit 1994.
Pas Lion King pason vazhdimi i filmit Frozen me 1.2 miliardë dollarë, ndërsa shumë afër pas tij gjendet Spider-Man: Far From Home, produksionin e të cilit e bëri Disney në bashkëproduksion me Sony.
Captain Marvel renditet i pesti sipas të ardhurave, me 1.12 miliardë dollarë, i pasuar nga Toy Story 4, i cili gjithashtu i inkasoi mbi 1 miliard dollarë. Në vendin e shtatë është filmi i parë i cili nuk është Disney/Marvel/Lucasfilm/Pixar, dhe ai është “Joker”. Joaquin Phoenix dhe versioni i tij i armikut më të madh të Batmanit erdhën me produksion të Warner Bros dhe sollën të ardhura prej mbi 1 miliard dollarësh.
Vendin e tetë e zuri një tjetër version artistik i klasikut të Disneyt, filmi Aladdin, i cili është i fundit në këtë listë me mbi 1 miliard dollarë të ardhura.Në vendin e nëntë radhitet “Hobbs and Shaw” i Universal, një film nga franshiza “Fast and Furious”, filmi i dytë jo-Disney në listën e dhjetë më të mirëve.
Aktualisht i fundit për nga të ardhurat këtë vit është filmi “Star Wars: Rise of the Skywalker”, i cili është shfaqur vetëm dhjetë ditë më parë. Deri më tani filmi i ka inkasuar 725 milionë dollarë, por presim që rezultati përfundimtar të jetë shumë më i lartë.