Filluan punimet për zëvendësimin e gypit të asbest-betonit në pjesët e mbetura të qytetit të Vitisë
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, me bashkëpunëtorë dhe i shoqëruar nga Kemur Mustafa, përgjegjës i degës së KRU “Hidromorava” në Viti, ka vizituar nga afër punimet që po zhvillohen për largimin dhe zëvendësimin e gypit të asbest-betonit në disa pjesë të mbetura të qytetit të Vitisë.
Gjatë kësaj vizite, ata kanë parë nga afër punimet që po zhvillohen përgjatë rrugës pranë lumit “Morava e Binçës” në Viti, ku po bëhet zëvendësimi i rrjetit të vjetër të ujësjellësit me gypa të rinj, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së furnizimit me ujë të pijshëm.
Kryetari Haliti e ka mirëpritur fillimin e këtyre punimeve, duke theksuar rëndësinë e investimeve në përmirësimin dhe modernizimin e rrjetit të ujësjellësit, si dhe krijimin e kushteve më të mira për furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm për qytetarët.
“Është e rëndësishme që të vazhdojmë me zëvendësimin e rrjetit të vjetër të ujësjellësit dhe të intervenojmë në të gjitha pjesët ku ende ka gypa të asbest-betonit. Këto punime kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët tanë dhe për një infrastrukturë më të sigurt dhe më funksionale të ujësjellësit”, ka thënë kryetari Haliti.
Sipas informacioneve të KRU “Hidromorava”, punime të ngjashme pritet të zhvillohen edhe në pjesë të tjera të qytetit të Vitisë, përgjatë rrugëve “UÇK”, “Idriz Seferi” dhe “Hasan Kabashi”, duke përfshirë edhe pjesët ku ende ka mbetur rrjeti i vjetër i përbërë nga gypa të asbest-betonit.
Këto ndërhyrje synojnë përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm, zvogëlimin e problemeve të mundshme në rrjet dhe rritjen e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve për qytetarët e Vitisë. /2LONLINE/
