Policia e Kosovës, njësitet policia në bashkësi në vazhdën e zbatimit të Strategjisë “Policimi në Bashkësi” sot kanë pritë në vizitë nxënësit e shkollës fillore “Nazmi Hoxha” nga “Lagja Tetë”, këtu në Gjilan.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se bashkë me pesëdhjetë nxënës ishin edhe arsimtarët e tyre si dhe disa nga prindërit. Të gjithë janë mirëpritur nga Komanda e policisë rajonale Drejtoria në Gjilan.
Nxënësit kanë vizituar ambientet e Drejtorisë rajonale si dhe stacionin Policor të Gjilanit.
“Atyre u është treguar puna që bënë Policia e Kosovës me qëllim që të sigurohet ruajtja e rendit dhe ligjit si dhe të kemi një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë, veçanërisht përkushtimi që tregon Policia e Kosovës për fëmijët”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Nxënësit, arsimtarët dhe prindërit kanë pas shumë pyetje rreth punës dhe angazhimeve ditore që Policia e Kosovës i kryen gjatë punës së përditshme, dhe me interesim i kanë përcjellë përgjigjet e oficerëve policor që i kanë shoqëruar ata.