Fillon vaksinimi i fëmijëve në Kamenicë

Fillon vaksinimi i fëmijëve në Kamenicë

Ka filluar vaksinimi i fëmijëve në Komunën e Kamenicës, Vaksinimi është duke u bërë në koordinim me Instititutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe UNICEF.

Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati duke lutur që të ndiqen udhëzimet e dhëna nga organet kompetente, ka thënë se vaksinimi i fëmijëve ka rëndësi të madhe në zhvillim e tyre dhe i mbron ata nga sëmundjet ngjitëse.

“Ka filluar vaksinimi i fëmijëve sipas kalendarit të rregullt, e që ka rëndësi të madhe për zhvillimin e tyre. Ekipi mjekësor i vaksinimit është pozicionuar në hapësirën e jashtme të QKMF-së, që fëmijët të kenë më shumë siguri gjatë shërbimit. Në secilën pikë ku kryhet ky shërbim, luteni t’i ndiqni me përpikmëri të gjitha këshillat dhe udhëzimet nga organet kompetente. Mbani distancën, vendosini dorëzat dhe maskën, si dhe kujdesuni për higjienën personale. Vaksinimi i rregullt i fëmijëve tuaj, i mbron ata nga sëmundjet ngjitëse dhe i bën më të shëndoshë”, ka thënë Kastrati.

Gjithashtu edhe Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi ka thënë se vaksinimi i fëmijëve luan një rol kyq në shëndetin e tyre.

“Edhe pse vaksinimi i fëmijëve në komunën tonë është shtyer pak për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, tani është shumë me rëndësi që secili fëmijë të vaksinohet për të qenë i shëndetshëm dhe të mbrohet nga sëmundjet ngjitëse. Gjithashtu gjatë vaksinimit lus që të gjithë prindërit të zbatojnë udhëzimet e dhëna nga IKSHP dhe MSH”, ka thënë Zajmi-Krasniqi.

Gjatë vaksinimit të gjithë qytetarët dhe stafi mjekësor duhet t’i përmbahen rekomandimeve të IKSHP-së dhe MSH-së për të mbajtur distancë dy metra, të barten maska dhe të mbahet higjiena e duarve dhe higjiena personale.

Vaksinimi është duke u bërë në bazë të orarit të Imunizmit dhe të moshës së fëmijëve sikurse më poshtë:

1. 08:00 deri në orën 11:00, fëmijët e moshës dy, tre dhe katër muaj,
2. 12:00 deri në orën 14:00, fëmijët e moshës 12 deri në 18 muaj.

KOMENTE