Fillon manifestimi “Lulëkuqet e Prillit”, kryetari Kastrati bën homazhe tek varrezat e lapidarët e dëshmorëve

Fillon manifestimi “Lulëkuqet e Prillit”, kryetari Kastrati bën homazhe tek varrezat e lapidarët e dëshmorëve

Sot, në Komunën e Kamenicës, ka filluar manifestimi tradicional “Lulëkuqet e Prillit”.

Me rastin e fillimit të këtij manifestimi, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me nënkryetarin Faton Jakupi, kryetarin e OVL UÇK-së dega Dardanë Milaim Limoni, ish komandantin e Zonës Operative të Karadakut Ahmet Isufi, drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arianit Ibrahimi, zyrtarë të tjerë komunal, si dhe familjarë të dëshmorëve, kanë bërë homazhe tek varrezat e të gjithë atyre që dhanë jetën për liri.

I pari i komunës Qëndron Kastrati, ka thënë se në këtë manifesim kujtojnë një nga betejat e lavdishme të UÇK-së, Betejen e Marecit.

“Lulëkuqja që rritet për ngjyrën e luleve të saj, është simbol i të gjithë ushtarëve tanë që derdhën gjakun për liri. Çdo vit nga 18-22 Prill, nisim manifestimin tradicional “Lulëkuqet e Prillit”, duke kujtuar e nderuar një nga betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Betejën e Marecit, si dhe gjithë pishtarët tanë të lirisë. Bashkë me ish komandantin e Zonës Operative të Karadakut Ahmet Isufi, Organizatën e Veteranëve të Luftës e familje të dëshmorëve, bëmë homazhe pranë varreve e lapidarëve të të gjithë atyre që dhanë jetën për atdheun! LAVDI!”, është shprehur ai.

Edhe nënkryetari Faton Jakupi, ka përkujtuar të rënët në këtë betejë.

“Përkulemi për të gjithë ata që dhanë jetën në këtë betejë. Ata janë liria të cilën sot ne e gëzojmë”, tha ai.

Ndërsa kryetari i OVL-UÇK-së dega Dardanë Milaim Limoni, ka thënë se në këtë betejë ranë luftëtarët më të mirë për t’u bërë themel i lirisë.

“Beteja e Marecit është sinonim i luftës për çlirimin e vendit. Në këtë betejë ranë luftëtarët më të mirë, ranë trimat, ranë djemtë e burrat për t’u bërë themel i fortë i së ardhmës sonë të ndritshme”, ka thënë ai.

Manifestimi “Lulëkuqet e Prillit” fillon nga data 18 Prill dhe zgjatë deri më datë 22 Prill. Për shkak të pandemisë nuk ka pasur aktivitete të tjera lidhur me këtë manifestim.

Ky manifesim përkujton një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Karadakut, e zhvilluar në Malet e Marecit. /2LONLINE.com/

KOMENTE